“Der Standard”: Pas 29 prillit s’flitet më për kufij

Ideatorët dhe mbështetësit e ndryshimit të kufijve, mes Kosovës e Serbisë pritet të marrin shuplaka të forta nga Takimi i 29 prillit në Berlin, ku siç parashikon e përditshmja austriake “Der Standard”, ku do t’i vihet kapak diskutimeve të mëtejshme për ndryshim të hartës së Ballkanit, një iniciativë kjo e kancelares gjermane Angela Merkel.

Samiti i Berlinit mund t’i japë fund një herë e mirë diskutimeve rreth ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi, ose të paktën ky është synimi i iniciatores së këtij organizimi, kancelares gjermane Angela Merkel.  Këtë e parashikon media e njohur austriake “Der Standard” në një artikull të saj, mbi pritshmëritë e takimit të Berlinit. Ekspertë të diplomacisë europiane vlerësojnë se qëllimi i takimit është t’i jepet fund zërave për shkëmbim të territoreve ose rivendosjes së kufijve mbi baza etnike, shkruan ndër të tjera e përdtishmja austriake.

Në vijim përmenden edhe mbështetësit e idesë së ndarjes së Kosovës, duke filluar me shefen e politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini, komisionerin e zgjerimit Johannes Hahn, këshilltarin e sigurisë amerikane John Bolton, si dhe shtetet që e mbështesin ndarjen si Hungaria dhe Austria, duke theksuar faktin se Merkel është pozicionuar qartë dhe strikt kundër të lartëpërmendurve.

Edhe SHBA janë distancuar së fundmi nga mbështetja e ndarjes së Kosovës, pasi rreziku për destabilitet në rajon, nëse ndryshojnë kufijtë, është bërë shumë evident Berlini vlerëson më të rëndësishëm arritjen e një marrëveshjeje jetëgjatë e të gjithpranueshme se sa një pakt të arritur ngutshëm e pa baza të forta. Ndërsa Franca është e interesuar për sundim të ligjit dhe shtetndërtim në vendet e rajonit.

Ligjvënësi gjerman Manuel Sarazzin duke folur për këtë medie, kujton luftërat ballkanike të viteve ’90 dhe pasojat e tyre. “Kufijtë mbi Ballkanin Perëndimor janë të paprekshëm. Dënimi i Radovan Karaxhiqit na ka kujtuar dhimbshëm se çfarë ndodh, nëse politikanët tentojnë të ndërtojnë shtete etnikisht të pastra. Kjo do ishte tallje me gjithë viktimat e luftës dhe rrezik për paqen në Europë”, ka thënë ai.

Edhe diplomati Albert Rohan, i cituar nga STANDARD thotë se “popujt e ballkanit duhet të kenë guximin të tejkalojnë idetë mesjetare dhe të jetojnë në shoqëri multi-etnike. Nëse do ndahej Kosova, do rrezikoheshin gjithë minoritetet në gjithë shtetet e rajonit, shton ai.

Lini Nje Koment