Çfarë bën leximtari gjenial Gent Caka ne arenën diplomatike

EDITORIAL/ NGA ALFONS ZENELI

Apatia shumëvjeçare e Ministrisë së Jashtme dhe e politikës së jashtme në tërësi, nuk është diçka e padëgjuar në Shqipëri. Janë ndërthurur shumë faktorë të cilët kanë ndikuar në krijimin e një fryme kompleksesh inferioriteti , ironikisht më shumë ndaj armiqve dhe kundërshtarëve se sa ndaj miqve dhe aleatëve natyrorë. Kemi dhjetëra raste ku servilizmi, zvarritja dhe jargavitja poshtëruese e politikës sonë të jashtme është shfaqur e plotë dhe e qartë. Kryesisht ndaj grekëve e së fundi edhe ndaj serbëve. Ne rastin e grekëve, shpesh është përdorur apo nënkuptuar se arsyeja e tolerimeve dhe e përdhosjes se parimit të reciprocitetit, ka qenë fuqia diplomatike e Greqisë në arenën evropiane ku ajo mund te inatosej e të vendoste veto kundra nesh në forumet dhe instancat e BE. Por dhe gjoja halli i emigrantëve. Nëse do të kishte qenë vërtet kështu, do ishte gjysma e së keqes. Por në të vërtetë, arsyeja themelore ka qenë gjithmonë kompleksi i inferioritetit natyral të së majtës, një kompleks i lindur bashkë me të majtën. E majta është stërvitur me këtë lloj sjelljeje përulëse, në fillim ndaj misionarëve jugosllavë që e themeluan, pastaj ndaj rusëve, kinezëve e me radhë. Dhe vesi del me shpirtin. Jo rastësisht dhe as papritur, qeveria Rama e ka shpalosur këtë kompleks ndaj serbëve dhe Vuçiçit. Në këtë linjë janë edhe vizitat e ndërsjella si akte, edhe përmbajtja e tyre, edhe deklaratat e Ramës, edhe ngazëllimi i këtij të fundit kur përmend faktin e miqësisë së tyre personale. Fundin e kësaj tragjikomedie e shënon tentativa dëshpërimish groteske e Ramës për të siguruar protagonizëm rajonal pikërisht nëpërmjet lidhjes motërore me Vuçiçin. Në këtë kontekst, Ramës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse në statusin e tij në fb, tek rubrika e gjendjes civile të shkruajë: “në një marrëdhënie të komplikuar”.
Ndërsa historia e marrëdhënieve me Greqinë, është shumë më intensive dhe për pasojë, cilësisht shumë më e turpshme. Një nga skenat më domethënëse është fytyra e qeshur dhe buzët e lumtura vesh më vesh të ish ministrit Bushati gjatë takimit me Kociasin në Korçë ku humbi det dhe fitoi lakror. Por Rama sërish nuk u pajtua me Bushatin kur siç u tha, ky nuk e mbështeti tezën e korrigjimit të kufijve të Kosovës. Kështu që Bushati iu duk më nacionalist nga ç’duhej dhe e shkarkoi. Sigurisht për punë të mirë. Pavarësisht se Bushati u tregua shembullor dhe profesionist i lindur ne fushën e servilizmit. Për një punë edhe më të mirë akoma, Rama futi dorën në thesin e ofruar nga regjenti i UDB, Baton Haxhiu dhe nxorri Gent Cakën. I qëlloi fiks ai që i hynte në punë. Tani, kur diplomacia shqiptare është ingranazhi më i amortizuar dhe inefikas i qeverisjes, Genti gjithë intelektin dhe gjeninë e vet ia kushton pushimit nga puna të 20 personave dhe heqjes së targave diplomatike makinave të konsujve të nderit. Si dhe në rastin e pushimit nga puna të 20 punonjësve, edhe këtë radhë fjalimin e kishte nisur me fjalinë tronditëse : ”kam vendosur”. E gjithë mrekullia e leximtarit çudibërës konsiston në këto dy nisma me rëndësi jetike për fatin e kombit. Kazani argumenton se Gent Caka operon si ministër krejtësisht në kushte ilegjitimiteti. Kjo është lehtësisht e verifikueshme pasi rregullat dhe ligjet janë të shkruara. Mirëpo, Rama gjithashtu e ka vendosur këtë punë dhe nuk ka bir kushtetute t’ia ktheje mëndjen. Tani Gentit i ka mbetur edhe një detyrë tjetër madhore që të quhet përfundimisht i plotësuar : atë indianin e kërkuar nga interpoli për mashtrim që e kishim konsull nderi në Nigeri, ta emërojë shef protokolli në Ministri dhe mos ia vërë veshin kazanit mediatik të Interpolit, dmth ”kadripolit”. Ndërkohë, mund të shfrytëzojë potencialin e vet intelektual në fushën e kleringut diplomatik e të bëjë marrëveshje me Indinë me qëllim që ata të na japin Gurunë, kurse ne t’iu japim Damian Gjiknurin.

%d bloggers like this: