Cakaj heq targat diplomatike 41 konsujve të nderit/ Ish-ministri i jashtëm: Bie “pazari”

Ish-ministri i jashtëm dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka reaguar pas njoftimit të ministrit të Jashtëm i deleguar nga Kreministri, Gent Cakaj, ku deklaroi se do të hiqen targat diplomatike Konsujve të Nderit në vendin tonë.

Në një postim në profilin zyrtar Shehu e cilëson gjithë njoftimin si shumë ulje për diplomacinë shqiptare, teksa shton se ministria e Jashtme në vend që të merret me rrënjë, po merret me “gjethet” e problemit.

Postimi i plotë:
Sa poshtë i ka rënë “pazari” Diplomacisë Shqiptare!
Dëgjova Zv.Ministrin e Jashtëm, që deklaronte në media, ai vete, se do t’u hiqen targat diplomatike Konsujve të Nderit në Shqipëri.
Sikur ky qenka problemi i madh i Diplomacisë sonë, shkaku i humbjes se rolit tonë parësor në Rajon, i ndryshimeve të linjave tona strategjike, i dobësimit të bashkëpunimit me partnerët tanë kryesore, apo i bllokimit të procesit tonë të integrimit prej disa vitesh!?
Në fakt ajo është një çështje për të cilën mund të shprehet jo më shumë se Policia Rrugore.

Ashtu si janë çështje të Ministrisë së Brendshme droga, trafiqet, kriminaliteti, “larja” e parave etj., për të cilat po ky Zv.Ministër organizoi një konferencë të tërë shtypi dy ditë më parë.

Siç duket vizioni, objektivat, funksionet e kësaj Ministrie me kontribute të mëdha ndër vite, janë “atrofizuar” kaq shumë, sa aty merren vetëm me të tilla “çështje” përfshi dhe “reformën” e madhe të “spastrimit” nga puna të 20 punonjësve, si pasojë e “luftës brenda llojit”.

Fatkeqësi kjo, se Ministria e Jashtme së pari duhet të shprehë vizionin e saj për çështjet madhore që i përkasin vendit në kompetencë të saj, duke u koncentruar te “rrënjët” e problemeve, në vend që të merret me “gjethet”, apo të krijojë kakofoni me dikasteret e tjera.

Ministri i Jashtëm i deleguar Gent Cakaj ka deklaruar se të paktën 38 “Konsuj Nderi të Shqipërisë”, lëvizin me makina me targa diplomatike dhe sipas tij këto janë privilegje të pajustifikuara.

%d bloggers like this: