Thaçi kamikazi i Ramës/ Patriotizmi, karta e fundit për karrigen

Hashim Thaçi, ka sakrifikuar të paktën për momentin kauzën e tij, marrëveshjen në proces me Serbinë, të kushtëzuar me korrigjim të kufijve, në të cilën ai është investuar prej më shumë se një viti. Krejt papritur Thaçi ka ndryshuar qëndrim karshi çështjes së kufijve, duke deklaruar kjo nuk do të ndodhë kurrë. Fjalimi përmbysës i Thaçit, i parapriu atij të Edi Ramës në Samitin e Diasporës në Tiranë.

Presidenti Hashim Thaçi ka habitur këtë të premte në Tiranë, kur në fjalimin që mbajti në samitin e Dytë të Diasporës shkeli mbi qëndrimet e tij të mëparshme për ndryshim të kufijve mes Kosovës e Serbisë. I cilësuar si ideator dhe i vetdeklaruar si mbështetës i flaktë i një marrëveshjeje Prishtinë-Beograd, që do të konsistonte në ndryshim të territoreve aktual, Thaçi deklaroi nga Tirana se vetëm mbi trupin e tij mund të preket ndonjë milimetër nga territori i Kosovës.

Duke mos qenë i besueshëm se ai mund të tërhiqet nga projekti, në të cilin është investuar me këmbëngulje prej të paktën një viti, në kundërshtim të hapur me gjithë klasën politike dhe opinionin në Kosovë, dhe atë të partnerëve ndërkombëtar, Thaçi sot duhet lexuar si patericë e mikut të tij, Edi Rama, i cili nuk resht së përdoruri çështjen kombëtare për të rritur aksionet e tij politike, të rëna tashmë në një kurs të rrezikshëm për të.

Kreu u shtetit Hashim Thaçi është artikuluar qartë, më shumë se një herë për një marrëveshje me Serbinë, që do të çonte në njohje reciproke por që do të bazohej në korrigjim të kufijve.

Por askush nuk është aq naiv sa të besojë se Thaçi, kur flet për korrigjim të kufijve, nënkupton vetëm të marrë e jo edhe t’i japë territor Serbisë. Nuk ka dyshim që deklarata e tij sot në Tiranë të ketë qenë qokë për partnerin e tij politik, Edi Rama, si për t’i kthyer nderin, kur nga Peja në mbledhja e përbashkët e qeverive e mbrojti Thaçin, duke quajtur “gomar” këdo që e akuzon atë për tradhëti.

%d bloggers like this: