Portali i Transparencës Universitare/ Rama iu kujtoi studentëve se si qeveria nuk do zgjidhë problemet e tyre…

Portali i Transparencës Universitare/ Rama iu kujtoi studentëve se si qeveria nuk do zgjidhë problemet e tyre…

Lëvizja studentore e dhjetorit të shkuar nxorri në pah problematikat me të cilat ndeshet arsimi i lartë. Megjithëse ata manifestuan për të drejtat e tyre, ende deri më sot nuk ka asnjë zgjidhje dhe asnjë reflektim nga ana e qeverisë dhe kryeministrit Rama. Gjatë takimit propagandistik të radhës, ku prezantoi portalin e transparencës Universitare “transparenca.al” ,  Rama u kujtoi studentëve se si qeveria nuk ka ndër mend t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.

Kështu, në vend të uljes së tarifave në të gjitha nivelet, ai propozoi investime imagjinare në universitete. Pa plan, pa shifra e pa afate. Në vend të demokratizimit të universiteteve duke u dhënë fuqi të barabartë studentëve dhe pedagogëve, ai ripohoi pushtetin e bordeve të kontrolluara nga qeveria. Në vend të fuqizimit të studentëve në kontrollin e pedagogëve abuzues – nga mitmarrja e shitja e detyruar e librave te plagjiaturat – ai premtoi se do të fusë ruspën shtetërore në universitet. Jo për të ndryshuar situatën, por për të zëvendësuar bajraktarët që nuk kontrollon me bajraktarë të bindur. Në vend të rritjes së buxhetit të shtetit për universitetet publike, ai u kërkoi këtyre të fundit të themelojnë firma tregtare për të mbuluar vështirësitë financiare.Në vend të rrëzimit të ligjit klientelist të arsimit të lartë, ai la të kuptohet se pronarët e diplomoreve private do të vazhdojnë të fusin duart në buxhetin e varfër të universiteteve publike. Në këto kushte, studentëve nuk u mbetet veçse të vazhdojnë me më shumë këmbëngulje dhe intensitet procesin e riorganizimit në bazë fakulteti për të nisur së shpejti një zinxhir protestash masive. Kjo qeveri dhe ky sistem politik marrin vesh vetëm gjuhën e fuqisë dërrmuese të shumësisë studentore dhe qytetare.

Lini Nje Koment