Ofenduan Gjicin, FK Kukësi: Komisioni i disiplinës t’i dënojë

Ironia dhe koret kundër Safet Gjicit në ndeshjen e organizuar në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër kanë sjellë reagimin zyrtar të Futboll Klub Kukësi.

Gjithçka duke se ka nisur te çmimi i biletës për të parë ndeshjen në stadium i cili është konsideruar i lartë nga tifozët e Partizanit, të cilët më pas në kor kanë fyer Safet Gjicin.

Ata kërkojnë edhe ndërhyrjen e Komisionit të Disiplinës kundër tifozërisë së Partizanit dhe lojtarit Jasir Asanit i cili pasi shënoi golin e barazimit i bëri gjestin e heshtjes presidentit Safet Gjici.

Reagimi i plotë:
Futboll Klub Kukësi dënon ashpër gjestet anti-sportive të manifestuara gjatë ndeshjes së djeshme në stadiumin “Loro Boriçi”. Tifozëria e Partizanit, ashtu sikurse kishte paralajmëruar në media dhe rrjetet sociale, u soll në mënyrë të pakulturuar e anti-sportive gjatë ndeshjes FK Kukësi – FK Partizani.

I gjithë publiku shqiptarë, në këtë ndeshje e cila ishte një nga më të rëndësishmet e Superligës, pa me sy dhe dëgjoi me veshë ulërimat dhe sharjet në grup të tifozërisë së Partizanit në drejtim të presidentit të FK Kukësit, zotit Safet Gjici.

Klubi i FK Kukësit, duke qenë ekip pritës në këtë përballje për Javën e 26-të të Kategorisë Superiore, pagoi 5 milionë lekë (të vjetra) për zhvillimin e kësaj ndeshjeje në stadiumin “Loro Boriçi” dhe, sikurse i takon çdo skuadre e cila organizon ndeshjen, vendosi çmimet e biletave të njëjta për të dyja tifozëritë.

Tifozët e Partizanit u lëshuan në kore duke ofenduar Presidentin e Kukësit si dhe duke hedhur monedha të modifikuara me foton e numrit një të klubit tone, duke cënuar kështu dhe imazhin e zotit Gjici. Lojtari i cili shënoi golin e barazimit për skuadrën e Partizanit u soll në mënyrë të pakulturuar, duke hequr bluzën dhe duke i’u drejtuar në mënyrë fyese me gisht Presidentit të Klubit organizator.

Ndaj tifozëve, stafit dhe lojtarëve të Partizanit nuk pati asnjë fyerje nga ana e Klubit tonë apo tifozëve kuksianë, duke qenë konform rregullave dhe FAIR-PLAY –t. Ndaj kërkojmë që ‘Komisioni i Disiplinës’ pranë FSHF-së të marrë masa për dënimin këtyre veprimeve të shëmtuara në stadiumet tona. I bëjmë thirrje dhe opinionit publik që të distancohet e të ndëshkojë rastet e lartëpërmendura.

Lini Nje Koment