Meta në Azerbajxhan/ Të përkushtuar ndaj bashkëpunimt rajonal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mbajti sot një fjalë përshëndetëse krahas Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe liderëve të tjerë pjesëmarrë në Forumin e 7-të Global të Bakusë, me temë: “Një Politikë e Jashtme e Re”.

Presidenti Meta, nënvizoi se: “pas më shumë se 70 vitesh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, si dhe gati tre dekada pas Luftës së Ftohtë, sërish e ardhmja e rendit botëror duket e pasigurt”.

Në fjalën e tij, ai vlerësoi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e zhvillimeve të ndryshme ndërkombëtare dhe sfidave të reja me të cilat përballen rendi botëror dhe institucionet ndërkombëtare.

“Fuqitë e mëdha tradicionale po përballen me probleme për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për konfliktet globale, ndërkohë që multilateralizmi nuk është më e njëjta forcë shtytëse për qeverisjen botërore”, – u shpreh Presidenti Meta.

Në mënyrë të veçantë Kreu i Shtetit theksoi se sfidat e sotme të tilla si, siguria globale, multilateralizmi, ndryshimet klimaterike, migracionin, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm po dominojnë politikën e jashtme.

“Kërcënime të reja nga terrorizmi ndërkombëtar po përhapen me të njëjtën shpejtësi si revolucioni teknologjik dhe siguria kibernetike po bëhet një sfidë e madhe për shoqëritë dhe vlerat tona”, – tha Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit u shpreh se “politika e jashtme globale po influencohet shumë edhe nga ‘diplomacia energjetike’ dhe nga përpjekjet për të zotëruar burimet energjetike në mbarë botën”.

%d bloggers like this: