Hajde Liam!

Nga Renaldo Salianji

Hajde Liam. Hajde në Shqipëri. Merr avionin e parë dhe nisu për në vendin e shqiponjave. Do ta kuptosh se ku po shkon sapo të porositësh biletën. Do të të duket pak më e shtrenjtë se zakonisht Liam, por ata që të ftuan të vije nuk të thanë se biletat i kemi sa 5-fishi i fqinjëve se kemi një konçensionar që ashtu i do qejfi t’i vendosi çmimet.
Hajde Liam, dhe do ta kuptosh mikpritjen e shqiptarit sapo të hipësh në taksi dhe taksisti të ta futi sa krahu me çmimin.
Hajde Liam, dhe sapo të hysh në kryeqytet, do ta kuptosh që diçka nuk shkon me vendin e “Markove nga Tropoja”. Do të të bllokohen mushkritë nga ajri i ndotur Liam, paçka se ata që të ftuan, të thanë se kemi pyje madhështore.
Hajde Liam, dhe jam i bindur se tek rrethrrotullimi që ka shumë trafik, ti do të pyesësh taksistin pse ndodh kjo situatë. Taksisti do të ta tregojë të vërtetën, që ata xhaxhat e videos ta fshehën Liam. Taksisti, megjithëse ta futi me çmimin, do të të tregojë se një kilometër rrugë këtu kushton 20 milionë euro. Hajde në Shqipëri Liam, të shikosh se si ndryshohet rrjedha e lumit, duke prishur shtëpitë e fakirëve për të ndërtuar komplekse 60 milionë euroshe.
Hajde Liam, të shikosh kalatë tona të mrekullueshme që i kemi kthyer në qendra tregëtare, motele, dhe lokale.
Hajde Liam në vendin më të vjetër në Ballkan, që të shohësh mrekulli arkeologjike që nuk i ke parë kund. Hajde në Durrës Liam, dhe shih se sipër rrugës Egnatia është ndërtuar një pallat 17+ katësh.
Hajde të shohësh Vela betoni mbi rrënojat e Dyrrahut. E nëse nuk të mjaftojnë këto, ti hajde për bregdetin Liam. Që e ka pushtuar një xhaxh i pasur, dhe ka bërë një kompleks e nuk të lënë t’i afrohesh.
Por ti hajde. Hajde të shikosh bregdetin më mahnitës në Europë, por ngastrat e rërës i kanë zënë të fortët.
Do të shohësh buzëqeshjen e shqiptarëve të thanë ata që të ftuan. Por hajde shiko buzëqeshjen e shqiptarëve kur ju vjen një i huaj në lokal ama.
Hajde për ujin e pastër kristal Liam, që në foto duket bukur. Por të uroj të mos marrësh ndonjë sëmundje lëkure nga ujrat e zeza që derdhen në det. Nuk ta uroj këtë se pastaj do të të duhet të përfundosh në spital (larg o zot spitalet).
Pasi të kesh pritur në radhë Liam, doktori sapo të marri vesh që je i huaj do t’i ndrisin sytë dhe po nuk e fute dorën në xhep nuk të prek njeri.
Hajde për Osumin të tha Ambasadori.
Për Kanionet që po u ndërtojmë diga. Për brigjet e detit që po i gërryen erozioni. Për lumenjtë që janë kthyer në kosha plehrash. Për ushqimet me hormone. Për mishin në Llogara, të ardhur s’di nga ku. Për peshkun e rezervatit që ta shesin sa mishin e peshkaqënit.
Hajde për Alpet Liam, dhe shko në Lurë. Shko në Valbonë dhe do mahnitesh nga digat prej betoni në mes të mrekullive të natyrës që të thanë ata tek video.
Kalo nga Bulqiza Liam dhe shiko fëmijët që mbledhin krom, e vdesin poshtë pirgjeve të mineralit vetëm për të blerë një bukë në ditë.
Hajde Liam dhe shiko shpellat dhe guvat e bregdetit, dhe do të kesh fat nqs nuk të hedhin ndonjë kallëp tritol nga ai që kapet peshku.
Ne nuk jemi vend vrasësish Liam, por gjithsesi mos i shiko shtrembër “Markot”, se mund të pëfundosh keq vetëm nga kjo.
Ne sigurisht nuk jemi vend trafikantësh, fiks siç ta thanë ata në video, dhe ti duhet ta besosh këtë edhe kur të shikosh makinat e shtenjta rrugëve të bllokut. Edhe kur të shohësh djem nga 20 vjeç, me makina 300 mijë euro, ti mos e beso Liam që ata janë trafikantë.
Je me fat i dashur Liam nqs nuk ha ndonjë koqe plumbi duke kaluar rrugën, se dy ” Marko” po bëjnë luftë me njëri-tjetrin. Mos shpreso tek policia Liam. Nuk do të jenë aty për të të shpëtuar. Nuk do ta bëjnë, sepse paga e policit është aq sa puroja që ka në gojë ai 20 vjeçari që ti nuk duhet ta shohësh shtremër.

Hajde Liam. Dhe për aq ditë sa të rrish, do të kuptosh sa me fat je që nuk ke lindur në vendin e “Markove”. Do t’ja kuptosh vërtet vlerën jetës Liam, dhe do të urosh prindërit e tu që të lindën sa më larg nga ky vend. Nga ky vend, që e bekoi Zoti, por e mallkojnë “Markot nga Tropoja” çdo ditë e më shumë.

Hë Liam, si thua? Do vish?

%d bloggers like this: