Gruaja shqiptare ishte ku e ku në status para gruas turke

Gruaja shqiptare ishte ku e ku në status para gruas turke

Nga Indrit Vokshi

Për gratë,

shkruan diçka të bukur Eqerem bej Vlora. Thotë se gruaja shqiptare ishte ku e ku në status para gruas turke.

Zakonisht ndër turq gruaja trajtohej më shumë si konkubinë, kurse ndër shqiptarë nderohej më shumë.

Nëna ime – shkruan ai – ishte drejtuese e çifligjeve të familjes. Në rrebelimin e Haxhi Qamilit ushtarët shkuan edhe në Vlorë. Nëna iu doli e i priti. Ruajti dinjitetin e familjes.

Tashti po ta shohësh, tek tradita gjen më shumë nderim për gruan sesa tek moderniteti i sotëm.

Sot moderniteti e përdor gruan, hiret, bukurinë e saj për reklamën e vet dhe jo vetëm. Iu duhet e hallakatun gruaja për ta shfrytëzuar për ndërtimin e projektit të tyre për një shoqëri siç e duan ata.

Thonë pse gruaja duhet të jetë peng i familjes së saj e kinse pronë private e familjes dhe e burrit. Dhe duan t’i japin “lirinë” ose më saktë duan ta shtyjnë për t’u bërë peng i ideologjisë dhe, pronë publike e shtetit dhe e shoqatave.

Mos nigjo burrin se është patriarkal, nigjo shtetin dhe shoqatat. Mos iu bind burrit, bindju shoqatave. Siç në disa vende shteti ta merr fëmijën se e keqtrajton edhe shoqatat duan ta marrin gruan që ta administrojnë ata, me pretekstin se është e shtypur historikisht. Me ta marrë pa ta marrë, me ia marrë veç mendt.

Kurse në traditat e mira të shqiptarit gruaja ka marrë statusin “Zojë Shpie” dhe i është bërë tememaja e duhur.

Këta shkojnë më marrin rastet kur vulgu dhe llumi i vendit rrahin gratë dhe, “ja kjo është gjendja e gruas”. Kjo është gruaja shqiptare dhe si tinzarë që janë duan ta hedhin prej këtu, tek ekstremi tjetër.

Duan ta përdorin gruan, pakënaqësitë, dramat, vështirësitë e saj, si material për projektin politik të shkatërrimit të shoqërisë. Duan që nga shoqëri hierarkike e strukturore me bazë familjen ta kthejnë në shoqëri të sheshtë ku individi i përket shtetit. Shteti e udhëzon, shteti e mbron, se e ka pronë.

Kush është shqiptar e di se burrit nuk i ka hije me e keqtrajtu gruan. Por duhet me e mbrojt atë. Dhe ska nevojë për shumë filozofi; kush ka ka nxitje të krishterë e di se JezuKrishti e fali atë prostitutën. Kush është musliman e di urdhërin e pejgamerit të vet: “Më i miri prej jush është ai që e nderon më s’shumti gruan e tij”.

Kaq dhe këtu e mbyllim. Smund t’i thotë askush gruas ja po të japim të drejta, ja po të japim manuale ndërkohë që urdhërat për respektimin e gruaj i kemi aty prej shekujsh. “Non abbiamo bisogno” titullohet një enciklikë e papës Pio XI në vitin 1931. Edhe ne “Non abbiamo bisogno” për “emancipimin” që sjellin këto shoqatat sepse kemi traditat tona shumë të mira në ketë drejtim.

Lini Nje Koment