Do isha dakort për dialog me Edi Ramën

Nga Indrit Vokshi

Po ndiqja debatin e Genc Pollos me Ilir Metën, me 22 dhjetor 1998. Pollo nënkryetar i PD, ndërsa Meta zv.kryeministër. Debati tek Fevziu, vinte pas takimit të Rognerit midis Berisha-Pollo dhe Majko-Meta.

Takimi u zhvillua me iniciativë të grupimit “Dhjetori Nëntëdhjetë” për të komunikuar mbi grevën e studentëve, mirëpo menjëherë u fol për Kosovën. Biseda u fokusua tek Kosova.

Meta dhe Pollo të dy politikanë të rinj asokohe, potencojnë pa asnjë tabu nevojën për dialog, nevojën për takim mes palëve, si themel i bashkëjetesës politike.

Momenti i atëhershëm kur u takuan ishte shumë delikat sepse ishte pas Nëntëdhjetëeshtatës dhe vetëm tre muaj pas vrasjes së Azem Hajdarit. Kushdo që takohej, pa dyshim do të haste në akuza nga militantët apo hierarkët e partive ku bënin pjesë. Do përballej me presionin e tyre.

Mirëpo dialog dmth gatishmëri për të kërkuar ku mendon njëlloj, ku i ke pikat e përbashkëta me kundërshtarin, për t’i gjetur ato pika dhe për të vepruar bashkarisht mbi to. Nuk është turp as dobësi dialogu politik me qëllim ruajtjen dhe forcimin e pikave përbashkuese.

Sot ndryshe nga para njëzet vitesh nuk ka pasur asnjë tryezë të palëve politike mbi Kosovën për qëndrim të përbashkët. Palët sot janë shumë larg. Nëse atëherë ishin për mbrojtje të tërësisë territoriale të Kosovës, sot lidershipi i Partisë Socialiste është për shkëmbim territoresh.

Sot mund të kërkosh të gjesh se ku mendon njëlloj me kundërshtarin por kjo është tejet e vështirë.

Sot mund të kërkosh hapsira për të bashkëdrejtuar disa institucione të veçanta jopartiake dhe të dakortësohesh se bashkëdrejtimi do vazhdojë edhe kur të ndërrohet pushteti, mirëpo ky ecën me parimin “Shumica gjithçka, opozita asgjë”. Harron që shumica e djeshme i dha mundësinë për të përzgjedhur kreun e ILDKP psh.

Sot mund të kërkosh zgjedhje pa blerje dhe pa njerëz me precedent penal me marrëveshjen se sdo i blesh as ti kur të vish nesër, mirëpo nuk dakortësohesh me të në ketë pikë. Ky ka ndërtuar një mekanizëm vetëm për ketë qëllim.

Sot mund të kërkosh pakt për një program të përbashkët dhe afatgjatë për bujqësinë dhe tregun e punës, me qëllim për të nxjerrë njëqindmijë familje nga varfëria e për të konkuruar politikisht në një realitet më të mirëqenë. Por ky ka ngritur një sistem konçesionesh me qëllim që paratë t’i orientojë tek miqt.

Mund t’i kërkosh balancim pushteti, si kusht themelor për të bashkëjetuar. Por ky të sheh të dobët për momentin, këmbën në fyt dhe mendon t’i shtyp përfundimisht. Harron që situata kthehet.

Pra mund të jesh politikan serioz, shumë i pjekur dhe i guximshëm sa për të marrë përsipër edhe rrezikun e goditjes nga partia jote, mirëpo thjesht nuk mundesh të gjesh pikat e përbashkëta me ketë. Ky ka ikur shumë larg dhe zgjidhja e vetme është ta çosh edhe më larg, ta largosh përfundimisht.

%d bloggers like this: