74 vjet Masakra e Tivarit

Masakra e Tivarit, ndër tragjeditë më të rënda të kombit tonë, 74 vite më pas ka ende dritëhijet e saj, sa i përket përgjegjësve që e shkaktuan atë. Studiuesi dhe historiani Uran Butka vjen me një botim të ri, që përmban fakte historike nga arkivat jugosllave dhe ato shqiptare dhe që mbështesin tezën e kahershme të tij, se regjimi i Enver Hoxhës, është po aq përgjegjës për vrasjen e mijëra shqiptarëve në Tivar, sa ç’ishte regjimi i Titos.

24 marsi është një datë që u kujton shqiptarëve fitore, por edhe humbje të mëdha. Në këtë datë përkujtojmë sulmin e  NATO-s kundër makinerisë vrasëse të Millosheviçit, por kujtojmë edhe masakrën e Tivarit ku mijëra shqiptarë të Kosovës të rekrutuar nga ushtria nacionalçlirimtare e Jugosllavisë, u vranë në pabesi në qytetin shqiptar të Tivarit, në Mal të Zi.  Në 74-vjetorin e kësaj ngjarje që përbën ndër tragjeditë më të mëdha  në historinë e shqiptarëve, studiuesi  Uran Butka vjen me një botim të ri që tenton të hedhë më tepër dritë rreth përgjegjësve që e shkaktuan atë.  Libri “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” i historianit Uran Butka, është një kontribut tjetër i rëndësishëm i tij në fushën e botimeve historike.

Libri sjell fakte te reja nga arkivi shqiptar dhe ai jugosllav mbi përgjegjësi shtetërore shqiptare në vrasjen e mijërave shqiptare të Kosovës që konsideroheshin armiq nga diktatori jugosllav Josif Tito.

Shteti jugosllav i kohës megjithëse ishte projektuesi dhe realizuesi i masakrës, e ka pranuar atë, qoftë edhe si aksidentale e të mpakur, por gjithsesi ka nxjerrë disa konkluzione dhe disa përgjegjësi. Ndërsa shteti shqiptar, i implikuar në këtë kasaphanë, shkaktuar kundrejt popullit të vet, ka heshtur për gjysmë shekulli, duke e mbuluar me harresë dhe papërgjegjshmëri të plotë, aq më tepër që akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë. Sipas Butkës por edhe të tjerëve historianë, kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar. Të dhënat historike flasim për shifra që variojnë nga 2 mijë në 4300 shëiptarë të vrarë, pranverën e 1945 në Tivar.

%d bloggers like this: