VV paralajmëron Thaçin: Tërhiqu nga aventura, ose do përballesh me popullin

Hashim Thaçit do t’i duhet të përballet me protesta mbarë popullore, nëse nuk heq dorë nga aventura e tij personale për një marrëveshje me Serbinë që do të prekte kufijtë e Kosovës. Kështu deklaroi deputeti i Lëvizjes VV, Glauk Konjufca, i cili flet edhe për pozicionimin e Kosovës përballë presionit ndërkombëtar për taksën ndaj Serbisë. Lëvizja Vetvendosje, paralajmëron protesta mbarë popullore nëse presidenti Thaçi vazhdon me planet e tij për prekje të territorit. Kreu i grupit parlamentar të Glauk Konjufca, duke folur për “Bota sot” tha se partia e tij e cilëson si të rrezikshme aventurën personale dhe të vetmuar të Thaçit për një marrëveshje me Serbinë në dëm të integritetit tërritorial të Kosvës. “Nëse tentohet që në mënyrë klandestine popullit të Kosovës t’i imponohet një marrëveshje që prek kufijtë e vendit, atëherë sigurisht që këta negociatorë do të përballen me protesta në rrugët dhe sheshet e Prishtinës” thekson deputeti i VV. Sa i përket qëndrimit ndaj taksës, ai thotë se “mbështesim atë, ndonëse ajo nuk do të duhej të vinte si revansh ndaj disa veprimeve të Serbisë kundër Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Ne mendojmë që ndaj Serbisë duhet të ketë reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar. Ndërsa për presionin ndërkombëtar, ligjvënësi vlerëson se Kosova i ka dy opsione: të konformohet në pafundësi ndaj çdo kërkesë ndaj saj duke lëshuar pe, ose të ndjekë rrugën tjetër për t’i bindur aleatët që Kosova është në anën e së drejtës dhe se taksa është mjet i domosdoshëm që Serbia të ndalë luftën ndaj nesh. Ne nuk kemi çfarë të ndryshojmë, është Serbia ajo që duhet të ndryshojë shumë karshi nesh”, shprehet ai. I pyetur rreth paralajmërimit të Albin Kurtit, për një “pranverë shqiptare”, Konjufca tha se “Duke parë gjendjen dhe protestat e drejta të studentëve në Shqipëri , por edhe negociatat me Serbinë e tendencën që të nënshkruhet një marrëveshje në dëm të integritetit territorial, atëherë natyrshëm do të mund të presim një “pranverë shqiptare”.

%d bloggers like this: