VIDEO/ Mafia kontrollon policinë dhe prokurorinë / Shkëlqim Pepkolaj intervistë për SHTV

VIDEO/ Mafia kontrollon policinë dhe prokurorinë / Shkëlqim Pepkolaj intervistë për SHTV

Nga Basir Çollaku

Rrëfimi për Shijak Televizion, i drejtuesit Shkëlqim Pepkolaj. Çfarë ndodhi me trafikantin Naser Gashi dhe laboratorin e heroinës. A u paguan para për të lënë qelinë?! Si vepruan këshilltari i ministrit dhe drejtuesit e policisë së shtetit. Mosveprimi i SHÇBA pas kallzimit. Hetimi për zbardhjen e praktikës dhe përgjegjësive për lirimin e një trafikanti të dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, hetimi për Laboratorin e heroinës, ku dyshohen mosveprime drejtuesish policie, investigimi për pesë organizata dhe grupe kriminale në qarkun e Kukësit, që kishin rritur ndjeshëm aktivitetin e tyre të paligjshëm, kallzimi tek eproret dhe ministri Sandër Lleshi, i lidhjeve të funksionarëve të policisë me persona me rekorde kriminale, kanë sjellë ndëshkimin e zv. drejtorit të hetimit të Kukësit Drejtues Shkëlqim Pepkola. Lirimin e tij nga detyra pa motiv. Ka një qelizë banditësh që merr vendime.

Intervista e Shkëlqim Pepkolaj /  Lirimi i trafikantit Naser Gashi

Shkëlqim Pepkola deri me datë 18 tetor 2018 ka mbajtur detyrën e  zv.drejtor i hetimit në drejtorinë e policisë vendore Kukës, por me 28 dhjetor ju ka ardhur një urdhër lirimi nga drejtori Ardi Veliu.

Përse ju kanë liruar? Çfarë ka ajo shkresë lirimi?

Ajo shkresë nuk ka asnjë definicion të plotë, përveçse dy rreshta ku thuhet zv.drejtor i hetimit Shkëlqim Pepkola lirohet nga detyra dhe vihet në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

S’ka motiv tjetër, shkresë përcjellëse?

Absolutisht jo.

Besoj se ju e dini pse ka ndodhur?

Jam në dijeni të saj.

Kur i ka fillesat kjo ngjarje?

Më lejoni të bëj një kronologji të saj. Bëhet fjalë për shtetasin kosovar Naser Gashi, i cili është ndaluar paraprakisht në pikën e kontrollit në kalim kufiri në Morinë dhe nga shërbimi policor kufitar është shoqëruar në ambientet e drejtorisë Kukës për të vijuar më pas me të gjithë procedurën e verifikimit të këtij personi. Arsyeja e ndalimit të tij ka qënë sepse është dyshuar nga punojësi i policisë që ka bërë kontrollin, si një person që posedon një dokument të tjetërsuar. Për shkak të detajeve që ka perceptuar punojësi i policisë, datëlindja në dokument është shumë më e re nga ajo që reflekton personi fizikisht. Ky person është sjellë në ambientet e Drejtorisë Vendore.

Cilat janë veprimet që mund të kryejë policia kufitare dhe si ecet më tej…?

Me riorganizimin e ri të Policisë së Shtetit në qershor, policisë kufitare i janë suprimuar kompetencat e hetimit. Pra me urdhër te drejtorit të përgjithshëm këto kompetenca i kanë kaluar sektorit të hetimit. Në këto rrethana nga shërbimi policor i kufirit përveçse është sjellë në drejtorinë vendore të policisë Kukës për të bërë verifikimin paraprak të këtij personi është vijuar më tej edhe me procedurën hetimore ndaj tij.

Çfarë veprimesh janë kryer në dijeninë tuaj?

Ky moment përkon dhe me një ngjarje tjetër të rëndë në të cilën ne kemi qenë  të përfshirë si strukturë hetimi: Në operacionin për dokumentimin ligjior të ngjarjes të Branoges, e cila nuk është e panjohur për ju. Në këto rrethana na është dashur goxha kohë dhe mund për shkak të një elementi mjaft të rëndësishëm që ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës siç është mungesa organike e theksuar, pra gjatë gjithë kohës ne kemi punuar me 30% të kapacitetit.

Ngarkesa për çështjen ishte shumë e madhe?

Po. Shumë e  madhe dhe ne jemi marrë me dokumentimin ligjor me gjithë ezaurimin e procedurave në terren dhe për rastin e Nasir Gashit unë jam i informuar vetëm nëpërmjet medias. Se çfarë ka ndodhur unë e kam marrë vesh 4 -5 ditë më vonë dhe të them të drejtën u befasova.

Përse?

Ishte absurditet total, ndërkohë që as nuk isha në dijeni. Unë jam shefi i hetimit në drejtorinë vendore, dhe jam personi që duhej të kontaktohej drejtëpërdrejt për këtë rast, se është përgjegjësia ime zyrtare dhe profesionale.

Në këtë rast duhet të ishit ju dhe struktura që drejtoni për t’u marrë me hetimin?

Natyrshëm unë duhet të isha domosdoshmerisht në dijeni të çfarë ka ndodhur.

Vartësit tuaj nuk e kanë bërë këtë gjë?

Këtë kompetencë në rastin konkret e ka patur salla operative e cila nuk më vuri në dijeni, është përgjegjësi e saj. Detyrimisht në këto rrethana duhej të vihesha në dijeni edhe nga strukturat e tjera, megjithatë edhe ata nuk e kanë bërë.

Çfarë bëtë pastaj kur e mësuat nga media, kur ju nuk ishit të informuar?

Në këto rrethana unë kam kërkuar që ditën e nesërme takim me drejtorin e policisë vendore, z.Zef Laskaj, ku i kam bërë prezente informacionin që mora në media dhe ai ma pohoi. Po tha, është një rast i tillë, i cili ka ndodhur para një jave dhe nuk e kemi liruar ne, por e ka liruar prokuroria. I thashë, zoti drejtor, lirimin e personave të cilëve i është vendosur arrest e bën policia e shtetit, ku kuptohet në bazë të një urdhëri ekzekutimi apo urdhër për lirimin. Megjithatë thashë, unë do të bëj gjithë verifikimet e mundshme dhe do ndalemi ta trajtojmë pasi është një ngjarje shumë komplekse.

Drejtori e miratoi kërkesën tuaj?

Unë tha j’ua bëra të qartë që nuk është policia ajo që ka proceduar në këtë rast, por është prokuroria. Pashë se nuk e kishte me dëshirë atë që unë do të bëja. Në këto rrethana unë jam ngjitur menjëherë te zyra ime për verifikimin e menjëhershëm të komunikatave të datave 17,  18, 19 kur kishte ndodhur ngjarja dhe problematika duhej të ishte evidentuar, por realisht komunikata nuk kishte asnjë detaj. Kjo ma bëri akoma më dyshues problemin

Si vepruat më pas?

Në këto rrethana unë kam kërkuar takim me shefin e sektorit të shërbimeve të specializuara nga drejtoria, Gani Jahelezin, i cili ka ardhur menjëherë te zyra ime, dhe i them nëse ka dijeni në lidhje me këtë ngjarje dhe ai ma ka mohuar që nuk kam dijeni dhe në këto rrethana i kam kërkuar të verifikojë tek shërbimet e tij nëse kanë dijeni. Pas pak minutash është kthyer shefi i sektorit dhe më ka thënë, po e vërtetë janë kryer verifikimet nga operatori i sektorit Zaim Muçmataj. Atëherë kam urdhëruar që bashkë me Zaimin të vinin në zyrë dhe të më sillnin gjithë praktikën e mbajtur për këtë rast. Kam ardhur në zyrë, jam njohur me praktikën e verifikimit…

E kishin bërë korrekt praktikën?

Krejtësisht korrekt, Praktika ishte e gjitha korrekt. E gjithë procedura ishte e rregullt. Sipas një kërkese të oficerit të policisë gjyqësore, oficerit të kufirit që interesohet për këtë rast, kanë kryer verifkimet dhe ka rezultuar se nuk eshtë ky person, nuk është Samir Bula që është identifikuar me dokumentin që posedonte, por është Naser Gashi, i cili rezulton të jetë person në kërkim me shenjë Kartelë e Kuqe, në kërkim ndërkombëtar, për shkak se është person i dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me 7 vite e katër muaj burg për veprën e trafikut të lëndëve narkotike.

Identifikimi si ishte bërë nga Samir në Naser?

Identifikimi është bërë duke i kërkuar operatorit që të kontrollojë në sistem, lidhur me identitetin e këtij personi. Atëherë operatori nëpërmjet një aparature që është e lidhur me sistemin, quhet lapskaner, ka bërë kalimin e gjurmëvë të gishtave dhe ballafaqimin e këtij informacioni, me atë çka është identifikuar personi dhe atë që është e depozituar në sistem. Ka rezultuar se me futjen e dorës dhe daljen e të dhënave nuk është Samir Bula, por Naser Gashi. Në këto rrethana formalisht është proceduar edhe me dorën tjetër dhe qartësisht është mësuar se personi është Naser Gashi. Atëherë është vendosur arrestimi në flagrancë i personit nga ana e policisë kufitare, në kundërshtim me urdhërin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit.

Duhej bërë shoqërimi dhe më pas ndalimi në drejtorinë e policisë?

Duhej të merrej struktura e specializuar hetimore që është sektori i krimit ekonomik në raste të tilla. Duhej njoftuar zëvëndës drejtori që merret me koordinimin e veprimeve dhe organizmin e punës për dokumentimin ligjor të këtij rasti, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Si është vepruar?

Në këto rrethana ashtu sic shpjegova, veprimet janë kryer nga një oficer i cili me urdhër të drejtorit të policisë së shtetit nuk e ka kompetencë. Por veprimet janë kryer.

Identifikohet, shoqërohet dhe ndalohet Naser Gashi në Drejtorinë e Policisë Kukës dhe ndodh diçka tjetër?

Çuditërisht është liruar.

Me një urdhër prokurori?

Po është liruar pas 24 orësh.

Pasi bëtë verifikimet, patë praktikën, kontaktuat sërish me drejtorin tuaj, drejtorin e policisë vendore të qarkut?

Absolutisht po. Kam marrë kontakt drejtpërdrejt me drejtorin dhe i kam bërë të ditur se ky rast nuk më rezulton ashtu siç biseduam bashkë, më rezulton se ka një implikim dhe shkelje të rëndë të procedurave hetimore të këtij rasti dhe për këtë do të vë në dijeni dhe drejtorin e departamentit të hetimit në drejtorinë e përgjithshme. Do të vë në dijeni të gjithë hallkat drejtuese, por do të bëjmë edhe procedime të tjera të cilat ne nuk mund t’i anashkalojmë, sepse është një ngjarje shumë e rëndë, e cila ka prodhuar pasoja të rënda.

Si vepruat?

Në këto rrethana kam dalë nga zyra dhe kam përgatitur një relacion për drejtorin e departamentit të hetimit në Drejtorinë e Përgjithshmë të Policisë së Shtetit, ia kam përcjellë me e-mail zyrtarisht.

Pastaj?

Pastaj jam ulur dhe kam përpiluar propozime për fillimin e ecurisë disiplinore, për shefin e komisariatit Agim Basha, shefin e policisë kriminale, Alfred Mazreku, shefin e sallës operative, te drejtimit dhe komandimit Shkëlqim Kola, për të tre këto persona për shkelje të rënda, ashtu siç unë i kam konceptuar.

Dhe ku i dërguat?

Këto propozime unë ia kam kaluar Drejtorit të Policisë Vendore Kukës, bashkangjitur me relacionet përkatëse. Ia kam nisur nëpërmjet sekretarisë drejtorit të policisë vendore, për dijeni ia kam nisur edhe zv.drejtores së policisë së shtetit,  që aso kohe ishte në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, sepse drejtori i përgjithshëm ndodhej jashtë vendit. Për dijeni dhe zv.drejtores së policisë së shtetit për shkak të natyrës komplekse të kësaj ngjarje e cila kishte prodhuar natyrshëm edhe pasoja të rënda.

Ky person është liruar me urdhër prokurorie dhe ndonëse kishte dijeni se Naser Gashi ishte dënuar nga Krimet e Rënda, sërish urdhërohet lirimi menjëhershëm i tij?

Me thënë të drejtën unë këtë urdhër e kam kërkuar në sekretarinë e drejtorisë dhe më thanë se nuk kemi një urdhër të tillë.

Nuk ka?

Nuk kam një urdhër të tillë më tha.Unë e kam mundësuar këtë urdhër përmbajtjen e tij nga burime të tjera, sepse zyrtarisht nuk më është vënë në dijeni dhe dispozicion. Mbase e kanë fshehur.

Por është përdorur një urdhër për ta nxjerrë Gashin nga qelia?

Absolutisht po. Urdhëri ka ardhur. Dhe procedura e trajtimit të urdhërave të tillë është kjo. Vjen urdhëri nga Prokuroria, administrohet në sekretarinë e Drejtorisë së Policisë Vendore të Qarkut. Këtij urdhëri i vendoset një kartelë, e cila ka të gjitha detajet dhe në kartelë vendoset shënimi për titullarin. Pra drejtori i policisë vendore, pasi merr urdhërin vendos në të shënimin në kartelë dhe ia kalon strukturës përkatëse për ta ekzekutuar si veprim, gjë e cila mua nuk më rezulton të ketë ndodhur. Së paku për këtë rast jo.

Ju keni informuar drejtorin tuaj, drejtorinë e përgjithshme të poilicisë së shtetit dhe bëtë propozimet konkrete, cili ishte reagimi pas këtyre veprimeve?

Menjëherë drejtori policisë vendore më ka telefonuar dhe unë kam vajtur në zyrën e tij dhe më tha se keni nisur ecurinë e hetimit disiplinor për tre punonjës policie, shefin e komisariatit, shefin e sallës operative dhe shefin e krimeve.

Si ju përgjigjët?

I thashë zoti drejtor unë nuk kam filluar ecurinë disiplinore, ndonëse me rregullore të policisë së shtetit e kam këtë kompetencë dhe konkretisht është neni 228 pika 2 gërma A. Në këto rrethana unë i thashë të kam propozuar për fillimin e ecurisë disiplinore vënë në dijeni që të merrej vendimi bashkarisht dhe ai të ishte në dijeni të kësaj situate.

Çfarë ju tha?

Më tha shprehimisht që ju keni kaluar kompetencat zoti zëvëndësdrejtor dhe për këtë do të ndëshkoheni, në ngarkimin tuaj do të filloje ecuria e rëndë disiplinore.

E rëndë sepse kërkuat zbardhjen e ngjarjes së lirimit të Gashit?

E rëndë sipas tij, sepse unë kisha shkelur procedurat që rrjedhin nga rregullorja e policisë së shtetit.

Ju duk si shenjë presioni?

Me thënë të vërtetën më shumë se shenjë presioni m’u duk si lajthitje, megjithatë u përpoqa ta menaxhoj këtë situatë duke i thënë, se zoti drejtor mua nuk më rezulton kështu siç thoni ju megjithatë nëse ju e keni vendosur të filloni ecurinë disiplinore është në tagrin tuaj dhe unë e firmos kur të doni.

Dhe si u zhvillua ngjarja më tej?

Në këto rrethana pas dy ditësh më ka thirrur dhe më ka komunikuar fillimin e ecurisë disiplinore dhe e kam firmosur.

Kush e kishte vendosur këtë dhe kapërcimi i kompetencave ishte shkaku?

Të sqarojmë këtë moment. Fillimi ecurisë disiplinore për shkelje të rëndë është tagër i eprorit më të lartë dhe kur është e natyrës së rëndë ia përcjell drejtorisë së standardeve profesionale në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit.

Ju pranuat?

Po s’kam arsye të kundërshtoj. Është në tagrin e drejtorit ta bëjë dhe më pas unë kam mekanizmat e tjerë të provimit të asaj që pretendoj të kundërshtimit të masës dhe më pas ka një procedurë tjetër.

Nisi hetimi ndaj jush?

Po nisi hetimi ndaj meje dhe unë kam kërkuar pas dy apo tre ditësh kam kërkuar nepërmjet një sms një takim me minsitrin e brendshëm Sander Lleshi, për shkak te problemeve të diskutuara, se minsitri i brendshëm tre ditë më herët ishte në Kukës që përkon me momentin e emërimit të tij në detyrë, por dhe në ditët e ndodhjes së ngjarjes.

Ju përgjgij ministri?

Pas dy ditësh nga kërkesa ime më ka telefonuar këshilltari i mininstrit z. Hilë Lushaku. Më tha kam porosi nga ministri pasi ai është i ngarkuar në agjendën e tij të ngjeshur nuk ka mundësi t’ju takojë, por takimin do ta zhvillojmë bashkë.

Dhe u takuat me z.Lushaku?

Të nesërmen vijuam me takimin me këshilltarin e ministrit z.Lushaku ku unë i kam prezantuar jo vetëm rastin konkret, por edhe një sërë problematikash që lidheshin me mosfunksionimin e shërbimit policor në parametrat që kërkohej.

Kishte dhe probleme të tjera serioze?

Natyrisht ka pasur probleme që lidhen me menaxhimin e ngjarjeve kriminale, sidomos nga strukturat e komisariatit. Unë kam kërkuar në mënyrë të pandërprerë te drejtori i policisë vendore që të insistohet më tepër nëpërmjet analizave, nëpërmjet porosive që të ndryshojë situata dhe trendi.

Cilat ishin problematikat?

Problematikat kanë qenë komplekse. P.sh.:, nëse ndodh një ngjarje e rëndë kriminale siç është vjedhja me armë e mbetur në tentativë, e ndodhur në fshatin Orgjost, pak kohë më parë është e pafalshme të mos trajtohet si një ngjarje serioze e rëndë, por lihet zvarrë dhe kjo është shenjë e theksuar e mungesës së seriozitetit në punë, është më tepër se mosveprim

Ngjarje të rënda që nuk merreshin me seriozitet?

Po. Ka pasur. Edhe ngjarje që kanë të bëjnë me integritetin moral dhe profesional të gjithë strukturës së policisë, sidomos të linjës drejtuese.

Kishit ngjarje të rënda edhe laboratorin e drogës?

Natyrisht. Edhe laboratori i drogës është një sintezë e atyre masave që unë kam thënë kam bërë prezente për t’u ndërmarrë si të nevojshme me qëllim evidentimin e problematikave të tilla, njëkohësisht dhe fokusimi te ata elementë që janë të qenësishëm, për mbarëvajtjen e shërbimit policor, sikurse janë çështje prioritare të luftës kundër krimit të organizuar trafiqeve.

Ia bëtë këtë panoramë këshilltarit të Ministrit të Brendshëm dhe çfarë ju tha ai?

Më tha që gjithë këtë problemattikë unë do ta dokumentoj dhe do t’ia përcjell minsitrit të brendshëmm. Pas këtij takimi jam kthyer në detyrë.

Si ndodhi më pas, u mor në konsideratë?

Çuditërisht ky material i është kaluar për ndjekje Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Po ministri i brendshëm ka një strukturë tjetër kontrolluese që varet prej tij?

Po, kjo ishte arsyeja kryesore që unë përcolla shqetësimin tek minsitri i brendshëm sepse e pashë që ka probleme, prokuroria ka mëkatin e vet, policia të sajat dhe natyrshëm duhej një strukturë më e pavarur që të kryejë investigimin jo vetëm të këtij rasti, por të gjithë problematikave që kishim bërë prezent që lidheshin me mbarëvajtjen e punës së strukturës sonë të policisë.

Por kaloi të kreu i policies Ardi Veliu dhe jo të SHÇBA, morët si mesazh që ka diçka që nuk shkon?

Këtu ka qenë një farë zhgënjimi për mua. Sepse ky informacion i ka kaluar drejtorit të përgjithshëm e nëpërmjet tij zëvëndësdrejtores së policisë së shtetit, unë kisha përcjellë informacion dhe relacion zyrtarisht dhe me 3 dhjetori Aida Hajnaj zv.drejtorja e përgjgithshme e policisë vjen në drejtorinë e policisë vendore Kukës.

Për të trajtuar atë që ju i kishit përcjellë ministrit?

Për të trajtuar atë problematikë që unë e kisha bërë evidente. U bë një takim në zyrën e drejtorit të policisë vendore Kukës në të cilin ishin drejtori, shefi i komisariatit, unë, shefi i komisariatit të Tropojës, zonja Hajnaj.

Vijoi mbledhja?

Zonja Hajnaj prezantoi përse gjendej në këtë takim dhe arsyeja sipas saj ishte tërësia e çështjeve që unë kisha bërë prezente tek minsitri i brendshëm në takimin tim me këshilltarin e minsitrit. Ndër të tjera u diskutua dhe rasti i Naser Gashit, ku zonja Hajnaj mori nga duart e drejtorit urdhërin e prokurores për lirimin e Naser Gashit dhe ma tundte në fytyrë duke më thënë shiko sepse është prokuroria ajo që ka bërë lirimin e Naser Gashit dhe nuk është policia…

Ju reaguat?

Duke e parë situatën i jam drejtuar zonja zëvëndës drejtore e policisë së shtetit, me vjen jashtëzakonisht keq që dëgjoj nga goja juaj një argumentim të tillë të situatës. Më e pakta që mendoj unë, ju keni mungesë të theksuar informacioni, për të mos thënë që pozicionimi juaj është krejtësisht i njëanshëm dhe tendencioz. Nuk pajtohem absolutisht me pozicionin tuaj rreth kësaj çështje dhe mbi të gjitha ky lloj argumentimi më fyen intelektin tim, sepse nuk duhen njohuri të specializuara apo thelluara për të kuptuar brendinë e këtij urdhëri. Mjafton të dish shkrim dhe këndim që të perceptosh drejt e mjaftueshëm brendinë e këtij materiali. Në këto rrethana nuk mund të vazhdoj diskutimin me ju dhe jam ngritur për të dalë nga zyra, nga mbledhja.

Përgjigja e saj apo drejtorit?

U krijua një lloj kakofonie. Përfaqësuesja e drejtorisë së përgjithshme në momentin që unë isha duke dalë, kam tentuar të largohem, i është drejtuar drejtorit të policisë vendore Kukës, më përgatit edhe ato materialet e tjera m’i nis mua se merrem unë me këtë.

Një tjetër mesazh për ju?

Ajo jo vetëm që u mor, por arriti deri tek akti final i datës 18 dhjetor, ku unë pas 25 vitesh karrierë, një karrierë e ndërtuar me mund e djersë, e gjak hidhet poshtë me një firmë si një rekuim i një lajthitje të lidershipit.

Keni kërkuar nga gjithë eprorët tuaj deri te minsitri të zbardhet praktika e lirimit të një trafikanti, u lirua trafikanti, por u liruat edhe ju?

U lirova në mënyrën më të keqe të mundshme.

Motivi?

S’ka motiv fare. Kam dhe urdhërin e drejtorit të policisë së shtetit është vetëm dy rreshta, thjesht lirohet dhe kalon në dispozicion.

Çfarë bëtë pas këtij urdhëri?

Unë i jam drejtuar ministrit të brendshëm nëpërmjet një letre ku i kam përmendur gjithë problematikat dhe historikun e ngjarjes me të cilën unë po përballesha. Unë ia kam bërë këtë para lirimit zotit ministër. Kam bërë gjithashtu edhe një kallzim penal në Prokurorinë për Krime të Rënda.

Kë keni kallzuar?

Kam denoncuar personat të cilët më rezultojnë të implikuar në rastin e Naser Gashit dhe i kam përmendur në mënyrë kronologjike dhe nga prokuropria nuk kam pasur deri në momneitn që flasim asnjë lloj reagimi.

Pepkolaj, a mendoni se problemet që keni trajtuar dhe bërë prezent, Naser Gashi, por dhe laboratori i heroinës që u kap në Kukës, çështje me të cilën ju jeni marrë, janë kthyer në dëmin tuaj?

Fakti që është hezituar në mënyrë permanente kompletimi i strukturave, ndonëse unë kisha bërë dhe propozime përkatëse jo për të plotësuar gjithë strukturën, por së paku disa persona në role kyçe, të cilat janë të domsodoshme për mbarëvajtjen e punës gjë e cila nuk ka ndodhur. Kjo më shtyn të dyshoj, të aludoj dhe mos besoj, sepse një hezitim i tillë është i pakonceptueshëm. Fundja unë jam shefi i hetimit në drejtorinë e policisë vendore Kukës.

Në pikun e këtyre ngjarjeve ndodh diçka e rëndë me të kërkuar të tjerë të ngjarjes së laboratiorit të heroinës ku njeri prej tyre gjendet i vdekur në Kosovë dhe në banesë i gjendet një sasi e madhe heroine?

Ka qenë situatë e ngarkuar shumë, jashtë natyrës së asaj treve dhe zone. Çuditërisht këto kanë ndodhur në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018.

Prokuroria ka reaguar duke thënë se Gashi nuk duhej të lirohej, por ndaj prokurores nuk di të jetë një verifikim të veprimeve të saj ligjore?

Nuk do të doja të merrja në analizë veprimin e prokurorisë pasi ajo ka gjithë mekanzmat për të investiguar atë që ka ndodhur, por merrem me pasojat që kanë ardhur nga ky urdhër dhe pjesën e mëkatit të shërbimit policor.

Çfarë ishte Naser Gashi që i mundi të gjithë derisa u lirua?

Naser Gashi rezulton të jetë një person që ka një historik të ngarkuar me aktivitet kriminal në trafikun e lëndëve narkotike. Për hir të së vërtetës këto elementë sot më tepër se kurrë janë pothuajse të pamundur për t’u vënë nën tutelën e ligjit.

Janë afër pushtetit dhe policisë?

Për shkak të asaj që thashë, por dhe për shkak se kohët e fundit shërbimi policor lë shumë për të dëshiruar për mënyrën e organizimit dhe funksionimit, lidershipi gjithashtu lë shumë për të dëshiruar në menaxhimin e situatës lidhur me menaxhimin e burimeve njerëzore financiare dhe material.

Naser Gashi mundi policinë apo eprorët ju braktisën ju?

Nuk do ta mendoja kështu se për hir të së vërtetës në shërbimin policor ka kapacitete.

Ka kapacitete, por ju keni kërkuar keni konstatuar një mbyllje veshësh?

Absolutisht po, madje edhe një kundërvënie tendencioze si e si të sfumohet rasti

Edhe në këto raste?

Unë si kam vënë në dijeni teorikisht, por me fakte konkrete me emra, me shkresa, në rrugë zyrtare, pa tejkaluar asnjë lloj tagri dhe kompetence, përkundrazi në përputhje të plotë dhe të kuadrit rregullativ që normon punën tone, por edhe të kodit etik.

Shpresoni që kallzimi dhe ankesa juaj të sjellin më tepër qartësi për çështjen apo ata që do hetojnë janë në anën tjetër?

Unë shpresoj. Shpresoj që kjo të jetë vetëm mëkati i shërbimit policor, mëkati jonë dhe të ketë struktura serioze që do të merren me zbardhjen e rrethanave që sollën këtë situatë dhe do të vënë përballë ligjit të gjithë personat që rezultojnë shkelës të ligjit.

A ka një hetim konkret nga shërbimi çështjeve të brendshme?

Për rastin konkret kjo është një çështje që ka sjellë pasoja jashtëzakonisht të rënda duke liruar në mënyrë të menjëhershme një person që të jetë person në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale siç është trafiku i ndërkombëtar i lëndëve narkotike. Mjafton ky fakt i konfirmuar, me veprime aktive të drejtuesve të shërbimit për të identifikuar autorët në mënyrë të menjëhershme se kush janë personat që kanë liruar Gashin dhe menjëherë të ndiqen ligjërisht.

Këtë hetim kush duhet ta bëjë?

Është shërbimi i kontrollit të brendshëm, e cila ka një strukturë të hetimit edhe në Drejtorinë vendore të Qarkut të Kukësit.

Nuk e ka bërë?

Po tani për sa kohë që nga 17 tetori i vitit 2018 e deri më sot të gjithë kemi dalë burra të mirë përvec meje që kërkova hetimin, do të thotë që nuk janë ndërmarrë hapat që ishin të domosdoshëm për t’u ndërmarrë në respekt të ligjit.

A mendoni apo dyshoni që Naser Gashi mund të ketë paguar para për të rifituar lirinë?

Këtë nuk i mund ta them.

Dyshoni?

Natyrshëm, kur ke të bësh me profile të tilla në mes është interesi, interesi i shprehur në mjete.

Ndiheni nën presion dhe trysni?

Tani unë po vuaj pasojat e trysnisë dhe presionit në këtë moment kur unë jam i liruar dhe në dispozicion. Po përballem drejtpërdrejtë. Se të jesh pas 25 vitesh karrierë, një karrierë brilante të jesh mes katër rrugëve më mirë vrite tjetrin…

Duket sikur vendimin për ju e ka marrë Gashi?

Në fakt Naseri këtu rezulton si dirigjent.

Prisni që prokuroria të hetojë?

Jam konfuz. Nuk pres asgjë, nga kush do pres.

Nuk prisni sepse e dini çfarë ka ndodhur?

Pikërisht.

Dhe e dini se me kë janë të lidhur?

Lidhur me këtë zhvillim, këtë situatë të krijuar unë mendoj më shumë se drejtori policisë së shtetit zv.drejtorja e policisë së shtetit drejtori i departamentit të hetimit, nuk mund të ketë mëkatarë të tjerë përpos këtyre. Këta janë dirigjentët. Kryesisht, zv.drejtorja e policisë së shtetit që ka ndërmarrë të gjithë këtë aksion dhe nismë për të bërë lëmsh situatën dhe për ta interpretuar si kundërvënie të Shkëlqim Pepkolës ndaj institucionit dhe për pasojë ia ka relatuar dhe drejtorit të policisë së shtetit i cili me dy rreshta ka vendosur që Shkëlqim pepkola të dalë në rrugë.

Do i kërkoni sërish ministrit të brendshëm Sandër Lleshi të ndërmarrë hapa serioz për të hetuar çështjen?

Zoti Lleshi duhet të ketë dicka parasysh, këtë e them në kontekstin e një punonjësi policie relativisht të vjetër dhe me eksperiencë pune, duhet detyrimisht të vërë dorë përsa i përket lidershipit të shërbimit policor duhet të vërë dorë në mënyrë imediate, pasi nuk mund të shkohet kështu sepse për hir të së vërtetës duhet të kemi diçka të qartë. Shërbimi policor është pasaporta e një shteti. Prandaj nëse do zoti minsitër të bëjë mirë këtë detyrë të rëndësishme duhe të marrë një nismë për spastrimin e rradhëve të policisë, për të identifikuar vlerat, ato elementë, ato vullnete të ndrydhuna që qëndrojnë të tulatur me qëllim që të ngjallet një frymë brenda strukturës brenda shërbimit policor sepse është shumë e nevojshme për ta mbajtur gjallë.

Për të larguar miqtë e Naserëve?

Abolutisht. Tani ky është një realitet i perceptueshëm nga kushdo qytetar i thjesht e jo më nga persona që kanë pergjegjësi institucionale, është imediate nisma e pastrimit të rradhëve të shërbimit policor, kryesisht sa i përket lidershipit. Shërbimi policor nuk duhet të trajtohet si taborr jenicerësh, pasi ai ka integritetin e vet profesional me të cilin duhet të ballafaqohet, një integritet që duhet të jetë prezent në shërbim të qytetarëve, i materializuar në rezultate të përditshme.

Lini Nje Koment