SPECIALE/ “RAMA PA QEVERI”/ CDU: Lulzim Basha, besueshmëri të lartë në Europë

Kryekëshilltari për ekonominë i grupit të CDU-së, Martin Henze gjatë një interviste për shijak televizion thotë se lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka një besueshmeri të lartë në Europë. “Ai ka një ekip shumë të mirë ekspertësh. Ne do ta ndihmojmë shumë atë dhe ekipin e tij. Shikoni Ramën. Ai nuk ka qeveri, nuk ka ministra, nuk ka ministër të jashtëm. Shqiptarët duhet të reagojnë tani. Këtë vit. Do të jetë më keq viti tjetër”, thotë ndër të tjera Henze.

BASIR ÇOLLAKU INTERVISTË ME MARTIN HENZE

Sa e cënon klima politike e Shqipërisë, klimën ekonomike?
Viti 2019, është një vit tej mase i rëndësishëm për Shqipërinë. Prej vitit 2013 gjendja ekonomike falë politikave qeverisëse është në gjendje katastrofale. Ne kemi arritur të shohim që rreth 600 mijë deri në 700 mijë shqiptarë kanë braktisur vendin, kanë emigruar dhe kjo më së shumti për arsye ekonomike. Kjo është një fatkeqësi për vendin, një fatkeqësi për prindërit e këtyre fëmijëve, kjo është një fatkeqësi për të gjithë. Në këtë situatë Shqipëria është në një udhëkryq të madh dhe nëse nuk do të reagojë brenda vitit 2019-2020, do të jetë tepër vonë.

Keni qenë pjesë e rëndësishme e ekspertizës së programit të Partisë Demokratike. A do të shërbente ky program si program i mirëqeverisjes së vendit tonë?
Ekonomia shqiptare vitet e fundit ka pësuar rënie dhe kjo nuk është nëj gjë e re. Ne si ekspertë kemi tentuar të mbështesim Partinë Demokratike për të formuar një axhendë ekonomike e cila do të shërbejë jo vetëm si platformë elektorale po edhe si platformë qeverisëse. Axhenda ekonomike e PD do t’i ndihmojë shqiptarët të dalin nga kjo krizë e thellë. Çdo shqiptar që ka kontribuar për 28 vjet sado pak për të rritur mirëqenien e tij, e sheh që fëmijët po largohen masivisht nga Shqipëria për arsye ekonomike dhe kjo është tragjike. Partia Demokratike ka një detyrë mjaft të rëndësishme që të krijojë një fillim të ri ekonomik të Shqipërisë, të lërë pasë atë se ç’është bërë këto 28 vjet në politikën shqiptare dhe të vazhdojë më tej. Zoti Basha dhe ekipi i tij janë mjaft profesionalë dhe i kanë idetë e qarta dhe do t’i mbështesim ata që kur të jenë pjesë e qeverisjes të jenë po ashtu të suksesshëm. Taksa është një pikë mjaft e rëndësishme. Nga viti 2013 e deri më sot, taksat në Shqipëri janë rritur në mënryë katastrofale. Partia Demokratike dhe programi i saj kanë në qendër taksat. Taksat do të ulen deri në 9% dhe kjo do të jetë një shtysë e madhe për të zhvilluar ekonominë. Synimi i platformës ekonomike shqiptare është që edhe ata shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria prej 2013-ës të kthehen në vend dhe të kenë mundësi të kontribuojnë këtu.

A janë konçensionet një barrë e rëndë për ekonominë dhe si ndikojnë në borxhin publik? A janë ato një rrezik për pastrim parash?
Deri tani projektet PPP që janë implementuar në Shqipëri, mund të them me bindje të plotë që nuk kanë lidhje me PPP-të që përdoren në mbarë Evropën. Ne si grup kemi shumë përvojë me PPP në të gjithë Evropën. Me PPP në Evropë janë bërë tunele, janë bërë shkolla, janë bërë vepra të mëdha publike. Me sa kam parë dhe me sa jam informuar unë në Shqipëri këto PPP janë krejt ndryshe. Në Shqipëri mungon një legjislacion i mirëfilltë dhe transparent për PPP dhe kjo lë shteg për korrupsion të madh, rrit borxhin publik dhe lë shteg për pastrimin e parave. Përvoja jonë dhe ajo evropiane na tregojnë që PPP mund të ndihmojnë jo vetëm shtetin por edhe banorët e zonave ku ato implementohen – në vende pune, në rritje rrogash. Këtë gjë unë nuk e kam parë në Shqipëri. Këtu ato janë të lidhura ngushtë për interesa personale me shtetin dhe me qeverinë dhe nuk janë në kontribut të qytetarëve. Për mendimin tim sot është koha që të bëhet një bilanc mbi atë se çfarë ka ndodhur mes viteve 2013-2019. Nëse sot do të bënim një rezyme se çfarë ka ndodhur prej vitit 2013, ekonomia është në gjendje shumë të rëndë. Axhenda e Partisë Demokratike për ekonominë është ajo që ne mendojmë se do të rrisë ekonominë shqiptare dhe do të nxjerrë vendin nga kjo krizë që është futur.

Shqiptarët zgjedhin si vend të parë për t’u larguar Gjermaninë. Çfarë e bën joshës këtë model?
Për mendimin tim më e rëndësishme është liria dhe legjislacioni që Gjermania ka. Unë mendoj se shqiptarët kanë ikur në Gjermani për të krijuar një të ardhme më të mirë për ta dhe për fëmijët e tyre. Në Gjermani nuk ka papunësi, papunësia është në nivel shumë të ulët dhe ata mund të sigurojnë një të ardhme të mirë për fëmijët e tyre. Ne mendojmë që me një axhendë të mirë ekonomike siç e ka Partia Demokratike, tashmë edhe Shqipëria mund të kthehet në një vend atraktiv dhe në një vend që mund të ofrojë të ardhme të mirë për shqiptarët. Ne mendojë që në qoftë se shqiptarët nuk do të reagojnë tani në 2019, 2020 ose 2021 do të jetë tepër vonë. Është momenti tani që të krijohet një reformë e madhe ekonomike për të ecur përpara. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që nëse klima e biznesit ecën mirë, po ashtu edhe shteti dhe qeveria do të jetë e mirë. Do të ketë më shumë taksa, më shumë financime për të investuar në shkolla dhe vepra të mëdha publike.

Çfarë do të kërkonte një biznes i huaj në Shqipëri? Taksa më të ulëta, punëtorë më të kualifikuar?
Unë mendoj që koncepti i axhendës ekonomike të Partisë Demokratike është shumë i ristrukturuar dhe po ashtu ai vazhdon të thellohet e përmirësohet në konsultim me bizneset vendase dhe frymën e programit ekonomik të partive simotra gjermane. Një reformë nuk është shumë e vështirë për t’u bërë. Por ajo ka nevojë për njerëz profesionistë jo vetëm për dëshirën e mirë. Unë kam bindjen se zoti Basha dhe ekipi i tij janë në gjendje dhe janë në rrugën e duhur për të kryer këtë reformë. Ata kanë filluar që tani që të ndërmarrin iniciativa, në mënyrë që të kenë një plan sa më të mirë ekonomik që vendi të bëhet sa më tërheqës jo vetëm për bizneset shqiptare por edhe për bizneset e huaja. Nuk është e nevojshme që të pritet 2020 ose 2021. E përsëris edhe njëherë që 2019 do të jetë një vit vendimtar për Shqipërinë dhe ekonominë shqiptare.

Ju keni biseduar me përfaqësues të mazhorancës dhe nuk keni rënë dakord me shifrat e tyre sidomos për ekonominë dhe për largimet. A e shikoni politikën e kësaj qeverisjeje si një politikë boshatisëse të vendit nga qytetarët?
Më lejonin të kujtoj diçka. Në 7 vitet e fundit Bashkimi Evropian dhe Brukseli ka kontrolluar dhe ka parë me shumë imtësi edhe statistikat që qeveria greke ka pas paraqitur. Janë vërë re që ka pasur shumë gjëra që nuk qëndronin ashtu dhe që duhet të korrigjoheshin menjëherë. Kur flasim për statistikat shqiptare unë mendoj që ato kanë problematikë të madhe. Prandaj unë kam kërkuar dhe kemi rënë dakord me zontin Basha dhe ekipin e tij të Partisë Demokratike që kur ata të vijnë në qeverisje të reformojnë edhe sistemin e statistikave shqiptare. T’i kontrollojnë edhe njëherë nga fillimi dhe ato që janë për t’u korrigjuar, duhet të korrigjohen patjetër. Unë pata edhe një diskutim me përfaqësues të maxhorancës ku ata më paraqisnin se produkti social bruto është rritur deri në 4.2% në Shqipëri. Unë mund t’ju them që nuk ka vend në Evropë që ta ketë aq të lartë, është ekstremisht shumë i lartë. Si ka mundësi që kur ky produkt është 4.2% kjo nuk pasqyrohet tek xhepat e shqiptarëve, si ka mundëis që shqiptarët largohen? Po ashtu statistikat për papunësinë në mendimin tim janë thellësisht jo të qarta dhe jo korrekte. Si mund të thuhet që është ulur papunësia?! Ata mund të kenë marrë një formulë të tillë që në qoftë se 100 mijë shqiptarë largohen, pa dyshim që edhe papunësia në Shqipëri ulet. Pra nuk ka më papunësi jo sepse shqiptarët janë punësuar por sepse shqiptarët po largohen gjithmonë e më shumë nga vendi. Jam i mendimit që statistikat në Shqipëri duhet të korrigjohen dhe të merren më seriozisht.

A do të sjellë Lulzim Basha një qeverisje më të mirë për shqiptarët?
E rëndësishme do të jetë ajo që kam diskutuar me Bashën dhe që kam vënë re që edhe Partia Demokratike e ka. Pa dyshim kur kryeministër të jetë zoti Basha, ai do të jetë i rrethuar nga një ekip shumë i mirë këshilltarësh dhe një ekip shumë të mirë ekspertësh. Partia Demokratike sot ka një grup shumë të mirë ekspertësh dhe po vazhdon gjithmonë e më shumë, çdo ditë e më shumë ta zgjerojë këtë grup – shqiptarë ekspertë nga shqipëria dhe shqiptarë ekspertë nga jashtë – dhe po ashtu një grup ekspertësh të huaj. Kjo për mendimin tim është shumë domethënëse. Më lejoni të marr një shembull. Është si një ekip futbolli ku nuk është vetëm sulmuesi por edhe një portier shumë i mirë që pret topat, një mbrojtës shumë i mirë, një mesfushor shumë i mirë, duhet të jetë dhe një trajner shumë i mirë që të motivojë ekipin të ecë përpara. Dje patëm një konferencë mjaft interesante me zotin Basha për platformën ekonomike. Atje kishte ekspertë ekonomie, profesorë universitetesh, të cilët dhanë mendimet e tyre. Ajo që u vu re atje ishte që të tërë ishin në një mendje që zoti Basha ka një ekip shumë të mirë që duhet të çojë ekonominë shqiptare, të reformojë ekonominë shqiptare. Ne si ekspertë të huaj nga Gjermania jemi të gatshëm ta mbështesim zotin Basha dhe ekipin e tij.

 

1 comment

Lini Nje Koment