SHBA, senati shmang mbylljen e qeverisë

Pas miratimit të buxhetit nga Senati dhe Dhoma e përfaqësuesve që shmang mbylljen e qeverisë amerikane presidenti Donald Trump pritet të shpallë sot gjendjen e emergjencës. Marrëveshja e arritur të hënën dhe e miratuar mbrëmjen e së enjtes përfshin 1.3 miliardë dollarë fonde për ngritjen e barrierave fizike në kufi me Meksikën. Por jo shumën prej 5.7 miliardë dollarësh të kërkuar nga Trump. Demokratët të cilët kontrollojnë dhomën e përfaqësuesve e kanë refuzuar miratimin e një shume të tillë. Shpallja e emergjencës kombëtare e lejon presidentin të shfrytëzojë paratë e ndara për qëllime të tjera në mënyrë që të ndërtojë murin në kufirin jugor të Meksikës. Vendimin për gjendjen e emergjencës Trump pritet ta shpall sot kur edhe përfundon projekt-ligji i financimit afatshkurtër që ai nënshkroi pas mbylljes së pjesshme të qeverisë e cila zgjati 35 ditë. “Presidenti është duke realizuar sërish premtimin për ndërtimin e murit, mbrojtjen e kufijve dhe sigurimit të shtetit tonë të mrekullueshëm. Ai do të marrë një tjetër vendim duke përfshirë emergjencën kombëtare, për t’u siguruar se do të ndalohet kriza humanitare dhe ajo e sigurisë në kufi”, deklaroi zedhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders. Ndërsa demokratja Nancy Pelosi që herët ka deklaruar se do ta sfidojë ligjërisht Trump nëse shpall gjendjen e emergjencës. “Ne do të rishikojmë opsionet tona dhe do të përgatitemi për t’u kundërpërgjigjur para asaj situate. E di që republikanët kanë gjithashtu shqetësime në lidhje me këtë çështjem. Nëse presidenti merr një vendim të tillë , një iluzion të cilin kërkon ta përçojë, atëhere mendojeni se çfarë presidenti me vlera të ndryshme po i prezantojmë popullit amerikan”, u shpreh Pelosi.

%d bloggers like this: