Paralajmërim Ramës/ Basha: Largohu vetë me 15 me 16 do të të rrëzojnë

Lideri i PD, Lulzim Basha i është bashkuar protestës së banorëve të Unazës së Re pasditen e së mërkurës.

Ai paralajmëroi Ramën se ka afat te largohet deri në 15 shkurt, përndryshe do të jenë qytetarët ata që do e rrëzojnë në protestën e 16 shkurtit.

Ndër të tjera Basha theksoi se ishte pikerisht qëndresa e këtyre banorëve që nxori në pah aferën korruptive me këtë projekt.

Në 16 shkurt vendi juaj nuk është këtu, por është atje në shesh. Në 16 shkurt fjalët kanë mbaruar, nuk ka më fjalë, por do të veprojë vetëm zëri dhe vullneti juaj.

Deri me 15 shkurt Edi Rama ka afat të largohet nga karrigia ku i kanë dhënë kriminelët, zgjedhje të parakohshme, qeveri të qytetarëve.

Pas 16 shkurtit nuk ka më fjalë, por ka vetëm zë qytetarësh’

Nëse ju nuk do të kishit qëndruar përballë terrorit dhe do të kishit rënë pre e propagandës dhe mashtrimit të Ramës, jo vetëm shtëpitë tuaja do ishin rrafshuar, por edhe skema e mashtrimi dhe pastrimit të parave, pas të cilës qëndron Edi Rama nuk do të ishte zbuluar. Respekt dhe mirënjohje për ju’, u shpreh kreu i PD-së Lulzim Basha.

Më tej Basha u shpreh se Rama nuk heq dorë nga projekti korruptiv, pasi ka marrë kaparin nga firmat që kanë fituar tenderat, ndërsa e cilësoi atë si kryeministër të hajdutëve.

‘Nuk kanë hequr dorë, sepse ky projekt ka vdekur, por nuk duan ta kallin dhe vijnë rreth e qark si minj e laraska sepse kanë marrë kaparin, miliona euro. Nuk ka shpjegim tjetër përveç kaparit të madh të shefit të madh. Veç ai mund të shkelë ligjin, planin urbanistik, kushtetutën vetëm e vetëm për kaparin. Sepse nuk mund të bëhet 20 milionë euro, përveç vjedhjes. E njëjta situatë është edhe në Shkozë, është e njëjti projekt dhe janë dy kompani oligarke, njëra që ka marrë koncesionin në jug dhe tjetra ka marrë stadiumin. Kjo është e vërteta e bëmave të kryeministrit të Shqipërisë, ky nuk është kryeministri i shqiptarëve, por i hajdutëve’, deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë në fjalën e tij në protestën e banorëve të Unazës së re.

Ndërsa banorët të cilët protestojnë në mënyrë të përditshme për më shumë se 3 muaj,  shprehen të vendosur se shtëpitë e tyre do i mbrojnë me gjak.

Ata nuk lanë pa falenderuar opozitën dhe kryetarin e saj Lulzim Basha për mbështetjen e ofruar, teksa i dhanë fjalën se me 16 shkurt do të jenë në krye të protestës per te sjellë rrëzimin e Qeverisë.

Banoret përsëritën ultimatumin në drejtim të Kryeministrit, duke i bërë të qartë se duhet të dorëhiqet para datës 15 shkurt. Ata thonë se nuk i ndalin protestat derisa të anulohet plotësisht projekti mafioz.

(Fjona Çela, shijaktv)

Lini Nje Koment