Paloka – mazhorancës: Popullit nuk i fshiheni dot

Në një dalje për media nga selia blu, nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka deklaroi se opozita vendosi të protestojë sot për të treguar se Parlamenti nuk ekziston më, e nuk i përfaqëson shqiptarët, jo vetëm ata shqiptarë që votuan Partinë Demokratike por as atë pjesë të shqiptarëve që i votuan. Sipas tij, sado që të fshihen e të mblidhen në ilegalitet socialistët do e kenë nga pas opozitën.

“Ky parlament nuk përfaqëson më shqiptarët, sot është ilegjitim. Pasi e rrethuan me tela me gjemba, kaluan në ilegalitet të plotë për të shpëtuar kokën e Ramës, e mbledhin si ta kishin privat, ndërsa ai tjetri bën antimitingun e radhës në Lushnje. Sot, të jenë të bindur që s’do shkojnë kurrkund me këtë taktikë. Ju kemi bërë thirrje qytetarëve të jenë sot para Parlamentit për të protestuar sa herë të mblidhen e fshihen ata. Sa herë të mblidhen do na kenë nga pas”.

Paloka ju përgjigj deklaratës të ambasadorit të BE-së Luigi Soreca: “Protestat janë të qytetarëve, të mos ju kërkojnë shqiptarëve asgjë që s’do ua kërkonin popullit të tyre”.

PRONONCIMI I NËNKRYETARIT TË PD, EDI PALOKA PËR GAZETARËT

Pyetje: Z. Paloka është thirrur sot seancë plenare në orën 17:00. Cili është qëndrimi juaj?

Edi Paloka: Siç e kam deklaruar që në mëngjes, për hapjen në mënyrë ilegale të njoftimit për deputetët e maxhorancës që seanca që ishte njoftuar që të enjten do të mblidhet në fakt sot në orën 17:00, është mbledhja e një parlamenti ilegjitim që mblidhet në ilegalitet. Ky parlament nuk përfaqëson më jo vetëm shqiptarët jo e jo, por nuk përfaqëson më as ata të cilët dikur mund ta kenë votuar Partinë Socialiste. Sot ky parlament është tërësisht ilegjitim. Pasi e rrethuan me tela me gjemba, pasi siç u bëtë edhe ju dëshmitarë, i salduan edhe hyrjet për në Parlament, sot kanë kaluar në ilegalitet të plotë për të shpëtuar kokën, politikisht flas, të Edi Ramës, kanë filluar të mbledhin parlamentin, jo vetëm sikur e kanë privat, por në ilegalitet. Ndërkohë që ai tjetri bën antimitingun e radhës në Lushnje, se vetë ikën fare, as nuk rri në parlament, dërgon Taon me Spiropalin në parlament. Sot të jenë të bindur se me këtë taktikë e me këtë strategji, nuk do të arrijnë e nuk do të shkojnë kurrkund. Ne u kemi bërë thirrje të gjithë demokratëve dhe, jo vetëm demokratëve, por të gjithë qytetarëve të Tiranës, të gjithë atyre që kërkojnë prej kaq kohësh largimin e Ramës, që sot të jenë para parlamentit dhe ne do të zhvillojmë protestën, ashtu siç e kemi deklaruar, sa herë të mblidhen, kudo që të mblidhen. Sado që të kalojnë në ilegalitet dhe të fshihet Rama, ne do të na ketë pas.

Pyetje: Zoti Paloka, zoti Balla është shprehur se ju keni frikë nga reforma në drejtësi dhe nga SPAK?

Edi Paloka: Këto janë banalitete të Taos tashmë. Ne që dorëzojmë imunitetin, kemi frikë nga drejtësia, këta që futin ndryshime ligjore për të rritur mbrojtjen dhe imunitetin, që të mos ia dorëzojnë më deputetët prokurorisë, megjithëse i kanë kapur të gjitha, edhe prokurorinë, edhe drejtësinë, të gjitha, këta qenkan ata që s’kanë frikë?! Ne që kemi 6 vite në opozitë, ne duhet të kemi frikë nga drejtësia. E kuptoni edhe vetë se deri ku kanë arritur? Nuk kanë më jo argumente, por edhe banaliteti u ka shkuar aty ku nuk mban më.

Pyetje: Mazhoranca pritet t’i kërkojë sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos kandidohen kryebashkiakët që kanë 3 mandate…

Edi Paloka: Kjo s’ka asnjë vlerë për ne. Ne kërkojmë që t’ju krijojmë shqiptarëve kushte për zgjedhje të lira e të ndershme. Kaq! Gjithë të tjerat, ku show i neveritshëm që vazhdon dhe përpiqen ta bëjnë, duke mbledhur një parlament ilegjitim, në ilegalitet, s’ka më asnjë vlerë. Çfarë vendimesh mund të marrë? Nuk mund të marrin më asnjë vendim në emër të shqiptarëve. Mund të marrin në emër të bandave e të krimit, por në emër të shqiptarëve jo. Kështuqë lodhen kot, edhe që fshihen, edhe që bëjnë të gjitha këto akte që bëjnë. Nuk ka më parlament që të përfaqësojë shqiptarët.

Pyetje: Ambasadori i BE, zoti Luigi Soreca ka deklaruar sot se palët po tentojnë të ulen dhe njëherësh ka rinovuar thirrjen për protesta paqësore. Keni një koment?

Edi Paloka: Protestat janë të qytetarëve. Zoti Basha e ka kthyer një përgjigje dhe ajo përgjigje duhet ndjekur: Mos u kërkoni shqiptarëve asgjë të cilat nuk do t’i pranoni për qytetarët tuaj. Kaq është përgjigjja jonë për këdo.

%d bloggers like this: