Njohja e Guaidos nga BE, sinjal pozitiv për përmbysjen e regjimeve anti-demokratike

Nga Tritan Shehu

Vendimi i fundit i vendeve kryesore të BE si Franca, Gjermania, Spanja etj., për të njohur Z. Guaido si President të Venezueles, jo vetëm që është një vendim në drejtimin e duhur, por është dhe një sinjal pozitiv për të gjithë popujt, që vuajnë nga mohimi i të drejtave, krimi, korrupsioni, etj:

  • Ky vendim, që është sinkron me qëndrimin e SHBA, flet për një pozicion të njëjtë e në kohëzion të BE brenda saj, si dhe me SHBA e vende të tjera kryesore të NATO-s jashtë BE, duke marrë kështu veprime e përgjegjësi të përbashkëta.
  • Ky qëndrim, që synon në rivendosjen e demokracisë në atë vend, demokraci që nuk mund të vendoset për aq kohë sa në pushtet është Maduro,  merr një rëndësi të veçantë, duke dalë nga e ashtuquajtura politike e mos “ndërhyrjes” e hapur një precedencë të rëndësishme në mbrojtje të lirive e të vlerave kudo në botë.
  • Gjithashtu ky qëndrim unik tashmë i “Botës” demokratike ka dhe një domethënie tjetër. Regjimi i Maduro-s është gjithashtu edhe një regjim thellësisht i korruptuar e i lidhur me botën e krimit, drogës, trafiqeve, që sundon nëpërmjet tyre, të cilit Perëndimi siç duket ka vendosur t’i deklarojë “luftë”.
  • Në një kohë që në rruzull regjime diktatoriale apo të reja autokratike po vënë në pikëpyetje paqen, liritë, demokracinë, të drejtat e njeriut, duke u bërë pjesë e një loje të rrezikshme antivlerë e në lidhje të ngushtë me botën e krimit, ky qëndrim i përbashkët i demokracive, veçse shton shpresat e përpjekjet për drejtësi, duke trembur e stepur diktatorët, autokratët, të korruptuarit e të lidhurit me krimin.
%d bloggers like this: