Lëkundet për taksën/ Pacolli: Pa Amerikën, “do të thahemi si pema pa ujë”

Themelet e Qeverisë në Kosovë duken shumë të brishta. Pas lëkundjes së PDK-së nga qëndrimi për taksën 100%, edhe aleati tjetër qeveritar, AKR bën thirrje të ndiqet kursi amerikan. Kreu i saj Bexhet Pacolli, thotë se duhen koordinuar veprimet, cilat do qofshin ato, por që shkojnë në interesin e miqësisë më aleatët. Haradinaj ka përkrahjen vetëm të PSD-së së Shpend Ahmetit, i cili mohon zërat se mund t’i shërbejë PDK-së për rrëzimin e qeverisë.

Çdo ditë e më i vetëm mbetet kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në qëndrimin e tij për të mbajtur në fuqi taksën 100% ndaj importeve serbe. I lëkundur është shfaqur këtë të martë edhe aleati qeveritar i AKR-së, Bexhet Pacolli, i cili ka qenë partizan i flaktë i taksës, kur u mor vendimi drastik. Ashtu sikurse kryeparlamentari, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, edhe Pacolli, në emër të partneritetit me SHB, flet për një qëndrim të unifikuar.

“Miqësitë mes njerëzve, por dhe ato mes shteteve, kanë nevojë për veprime të përditshme që të mbijetojnë dhe të jenë afatgjata, ashtu si një pemë ka nevojë për ujitje çdo ditë, përndryshe thahet”, paralelizon Pacolli në një status në FB.

Duke iu referuar letrave që presidenti Donald Trump i ka drejtuar homolugut Thaçi, Pacolli thotë se është vërtetuar qartë se ShB duan përkryerjen e shtetndërtimi të Kosovës.

“Kjo përfshirje e SHBA-ve që dëshiron forcimin, integrimin dhe njohjen tonë prej Serbisë, është një bekim për ne! Kjo duhet të kuptohet posaçërisht dhe të mbahet parasysh!!! Ne nuk jemi qendër e botës dhe as kemi për të qenë ndonjëherë, ndaj duhet ta vlerësojmë lart këtë pozicionim të radhës nga SHBA-të në favorin tonë. Ne duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur, që të respektojmë çdo kërkesë të miqve tanë e që janë në interesin tone”, shkruan kreu i AKR-së njëherësh ministër i Jashtëm, Pacolli.

Ai apelon që, të gjitha institucionet duhet të flasim me një zë, sic kërkon Presidenti Trump, dhe fton në një takim të përbashkët e urgjent, të gjithë udhëheqësit politik të Kosovës me miqtë amerikan e perëndimor, për të koordinuar veprimet, cilat do qofshin ato, por që shkojnë në interesin e miqësisë më aleatët dhe në interesin kombëtar. “Koha nuk pret, është momenti i vendimeve të mëdha”, e mbyll thirrjen Pacolli.
Ndërkohë ka ardhur një tjetër reagim nga skena politike në Kosovë.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti ka shuar zërat që po qarkullojnë për një përfshirje të mundshme të këtij subjekti në një qeveri që mund të pasojë kabinetin aktual, pa zgjedhje. Ai përsëri ka dalë në mbështetje të kryeministrit duke i mbështetje politike për taksë.

“I themi edhe PDK-së se me ndihmën tonë nuk do ta rrëzojnë e as kërcënojnë AAK-në, si presion ndaj Kryeministrit për ta larguar taksën. Taksa është e drejtë dhe është vendimi i parë pas të gjitha sulmeve që ka bërë Serbia ndaj nesh. Ne jemi të interesuar të dialogojmë me Serbinë sipas platformes që kemi aprovuar, por Qeveria ka të drejtë të marrë vendime për ta mbrojtur interesin e shtetit tonë”, shkruan shpend Ahmetaj.

%d bloggers like this: