Ju shitoftë ZANA…

Nga Basir Çollaku

Eunuket janë shërbëtorë të gjymtuar në projeksion me ardhmërinë, e kështu ata e ngatërrojnë padronin me Zotin, derisa shkojnë në theqafje prej damkës. Kështu ishin lleshasit e sotëm me uniformë përballë qytetarëve. Protesta e sotme e opozitës thua bëhej në Siri, ku Asadi i Tiranës, ikanaku azmatik kish dhënë urdhër përgjakjen. Lulzim Basha ka detyrim t’i shkojë, ashtu siç ka nisur, deri në fund këtij akti politik të domosdoshëm. Edi Rama, mund të cilësojë kokainën bukë edhe gjellë, ndaj urren njerëzit dhe nis t’i vrasë. Ka gjetur të paaftin e verbër Lleshaj duke bërë çka askush nuk e ka bërë në këtë vend as në diktaturë. Gaz lotsjellës, helmues ndër fëmijë, të moshuar, jo protestues. Ndaj qytetarëve në njësi shërbimi, në rrugë, qendër tregtare, banesa rrotull vendprotestës. Në zona të banuara jashtë perimetrit të protetës. E bëjnë diktatorët. Kjo quhet tentativë vrasje, por Arta dhe Donika nuk kanë sms nga shef Edi për të hetuar krimet. Kundrazi për t’i mbrojtur. Kështu të rreshtuar krah pushtetit, me kurriz nga shteti, mbrojtësit e ligjit janë në anën e përdorjes së keqe. Në protestë ka gra fëmijë e të moshuar të lënduar nga gazi serb apo rus pak ka rëndësi, ndonëse simbolika shëmton turpësisht. Ligji e ndalon policinë apo gardën të përdorë lëndë të tilla në raste kur ekspozohen mosha të tilla. Por Rama, Lleshi, Arta dhe Donika nuk dëgjojnë as bëjnë kujdes se janë vetëpërfshirë si konsumues të veprave të rënda penale. Zëri ushtarak i Lleshit në megafon si një kujtesë e Shqipërisë së vjetër. Ai qoftë. Ju shitoftë Zana, thotë trashëgimia jonë e ndëshkimit hyjnor. Ngurosje, kallkanosje, lënie në pamundësi të përhershme. Shpesh në jetë populli delegohet nga Zoti të bëjë dhe çbëjë. Kjo nuk dërgohet me poste, vetëm zgjedh dhe ndodh.

%d bloggers like this: