Denoncim për pazaret brenda KPK

Ky denoncim ka ardhur në adresën tonë nga “Denoncuesi Kpk”, publikimi është i plotë, pa asnjë ndërhyrje nga redaksia.

Zonja dhe zotërinj të medias!

Unë jam një punonjës të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që njihet si Komisioni i Vetingut. Ju e kuptoni që unë nuk mund të identifikohem, pasi humbas menjëherë vendin e punës.

Megjithatë, nuk mund të rri pa ndarë me ju, gazetarët, një informacion që për mua përbën skandal të institucionit ku unë punoj.

Gjatë javës së kaluar, unë dhe shumë kolegë të mi kemi dëgjuar se Komisioneri Publik nuk do të bëj ankim për vendimin e KPK që vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Donika Prela, me detyrë Drejtuese e Prokurorisë për Krime të Rënda.

Kur e dëgjova këtë informacion për herë të parë, nuk e besova. Mu duk si thashethem, sidomos pas zhurmës që bëri në media konfirmimi i zonjës Prela.

Për më tepër që ankimet bëhen pasi të zbardhen vendimet e Komisionit. KPK nuk e ka zbardhur akoma vendimin për Donika Prelën dhe prandaj e konsiderova fillimisht si thashethem pa bazë.

Por, më pas, si unë edhe kolegët e mi, pamë disa lëvizje që na u dukën të dyshimta. Në zyrat tona filluan të vinin njerëz, që ne i njohim shumë mirë për lidhjet që kanë me Partinë Socialiste. Këta njerëz në fillim takonin Komisionerët e Vetingut të Donika Prelës, më pas takonin dy Komisionerët Publikë.

Në mesin e javës së kaluar, të Enjten pas orarit të drekës, të njëjtët persona u takuan bashkërisht me komisionerët që ishin trupë gjyqësore për rivlerësimin e prokurores Donika Prela dhe një prej Komisionerëve Publikë tek lokal “Il Gusto”.

Ne që punojmë në KPK e dimë se për çfarë qëllimi zhvillohen takimet tek “Il Gusto”. Kush ka “hall” për të zgjidhur, duhet të gjejë rrugën për tek ky lokal.

Të nesërmen e atij takimi që shpjegova më lart, shumë punonjës të Komisionit e kishin marrë vesh që ishte vendosur që Komisioneri nuk do të bënte ankim kundër Donika Prelës.

Kjo është skandaloze. Nuk dua të marr rolin e Komisionerëve dhe të jap mendimin nëse duhet të bëjnë ankim apo jo për Donika Prelën apo për këdo gjyqtar apo prokuror tjetër. Por është skandaloze që vendimet të paracaktohen, pa u zbardhur vendimet dhe për më tepër, me ndërhyrje flagrante nga njerëz të politikës.

Në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në institucionet e tjera të Vetingut ka njerëz me integritet dhe moral të lartë, të cilët janë të përkushtuar në punën e tyre. Por kur shohim raste të tilla, si kjo e Donika Prelës, pjesës më të madhe i vjen shumë keq, pasi besuam dhe besojmë akoma se po kontribuojmë për pastrimit e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe të paaftët.

Aq më tepër që për Donika Prelën vijojnë të vijnë denoncime nga qytetarë të ndryshëm, për pasuritë, por edhe për lidhje me bandat e krimit të Durrësit. Unë kam parë një denoncim, nga një qytetar me inicialet E.S (ai e kishte emrin e plotë, por nuk mundem ta tregoj).

Ky qytetar denonconte se Donika Prela, si drejtuese e Prokurorisë për Krime të Rënda, po favorizon një nga kokat e krimit në Shijak, Hekuran Hoxha.

Denoncuesi E.S. dukej që kishte njohje të mira të botës kriminale në Durrës. Ai thoshte se ky Hekuran Hoxha është një prej drejtuesve kryesorë të trafikut të narkotikëve. Denoncuesi Hekuran Hoxha, që e njohin edhe si Roni (ose Roni i Shijakut) është arrestuar para disa javësh, në janar të këtij viti, si pjesë e operacionit kundër Avdylajve të Shijakut. (unë bëra një verifikim në internet dhe më doli që Hekuran Hoxha është arrestuar me të vërtetë në janar 2019).

Denoncuesi E.S. shkruante në denoncimin e tij se Prokuroria për Krime të Rënda, pavarësisht se e konsideron Hekuran (Roni) Hoxha si një prej drejtuesve të grupit kriminal, nuk ka nisur hetimin pasuror ndaj tij.

Denoncuesi bënte krahasimin me një rast tjetër, kur një të afërmi të Hekuran Hoxhës, i përfshirë në të njëjtin grup kriminal, i sekuestruan një motel në rrugën e Rinasit. Ai moteli, sipas denoncuesit, është jashtë funksionimit dhe prokuroria ka bërë “zhurmë” për një gjë që nuk ka vlerë.

Ndërkohë, denoncuesi e ka shoqëruar materialin e tij me foto, ku dallohen pronat shumë të shtrenjta të Hekuran (Roni) Hoxhës, përfshirë një ndërtesë për biznes dhe një kompani karburantesh, të cilat vijojnë aktivitetin e tyre dhe i sigurojnë fitime pronarit të tyre.

Këto prona nuk janë sekuestruar nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe, sipas denoncuesit, kt mos-veprim është urdhëruar nga Donika Prela, për shkak të njohjeve që ajo ka me grupet kriminale në Durrës. (unë arrita të marrë disa nga këto foto që janë bashkëngjitur denoncimit të personit E.S. dhe po i vë bashkëngjitur këtij denoncimit tim për median)

Edhe ky denoncim nuk është vlerësuar dhe as nuk është marrë në konsideratë nga Komisionerët Publikë, të cilët, sic thuhet, e kanë ndarë mendjen që të mos e ngacmojnë çështjen e Donika Prelës.

Unë dhe kolegët e mi shpresojmë që të reagojë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Këta ekspertët e huaj duken të angazhuar, por nuk ua varin shumë nga pjesa shqiptare. Megjithatë, shpresoj që ONM të reagojë.

Zonja dhe zotërinj gazetarë!

Unë ju kërkoj falje që nuk jap identitetin tim, pasi e kuptoni që do të kem menjëherë pasoja nëse e tregoj se kush jam. Por, unë ju garantoj që të gjitha sa ju shkruajta më lart, janë të vërteta.

Faleminderit që më kushtuat pak kohë për të lexuar këtë denoncim.

P.S Me attach po dërgoj disa nga fotot që denoncuesi E.S ka sjellë bashkë me denoncimin për prokuroren Donika Prela, ku dallohen disa prona të Hekuran (Roni) Hoxhës, të cilat nuk janë sekuestruar, për shkak të lidhjeve të Prelës me grupin kriminal. Këto prona dallohen që janë të Hekuran Hoxhës nga kompentet që kanë bërë familjarët dhe miqtë e tij në “Facebook”, siç dallohet tek fotot që po ju dërgoj bashkë me këtë denoncim.

%d bloggers like this: