Brate Vuçiç, Rama dhe “Prekurori”

Brate Vuçiç, Rama dhe “Prekurori”

Editorial/ Nga Alfons Zeneli
Sekretari i parë i komitetit qendror të parlamentit shqiptar, “prekuror” Gramoz Ruçi, po fuqizon të drejtën e tij për të kontrolluar fjalën e deputetëve. Dhe rasti më i mirë për ta zbatuar egërsisht rregulloren e tij është kur flet Berisha. Padyshim rregull duhet të këtë. Por rregullorja e rasteve të tilla dihet që nuk është një recetë farmaceutike apo formule kimike. Më e rëndësishme se sa hermetizimi i rregullores për minutazhin e fjalimeve, është fakti se deputetët janë egzaktësisht për të folur dhe argumentuar. Kjo varet edhe nga lloji apo rëndësia e çështjes, e temës që diskutohet. Nga ky këndvështrim, “prekurori” i parlamentit sh. Gramoz, do të duhej që ta lejonte Berishën të fliste më gjatë, ose të paktën sa të mbaronte argumentin pasi çështjet që po ngrinte dhe faktet që po parashtronte ishin të një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin. Ruçi si kryeparlamentar, do të duhej që vetë të shprehte interes kur dëgjonte fakte mbi vjedhje aspak ordinere por mbi vjedhje që i kushtojnë rëndë sigurisë dhe ndërmarrjeve gjeostrategjike të vendit të tij. Por, në vend të kryeparlamentarit z. Ruçi, në fatkeqësisht ndeshemi përditë me sekretarin e parë të KP të Tepelenës. Ai nuk mund të operojë me petkun e ri në këtë situatë. Sepse koha ia kërkon të jetë egzaktësisht sekratar i parë. Në fjalën që Berisha ishte duke mbajtur, faktohej korrupsioni skandaloz në KESH dhe favorizimi në formën e 4 milion eurove që i bëhej beniamineve financiare dhe sektiste të Linda Ramës. Nga ana tjetër, aty u fol për backgroundin e gjithë traktatit të fshehtë antishqiptar që kanë nënshkruar në heshtje Rama dhe Vuçiç i cili konsiston në ndryshimin e kufijve të Kosovës, në riciklimin e Serbisë dhe faktorizimin nëpërmjet saj të Rusisë në Rajon. Rama , për shkak të despotizmit, ngushtimit të hapësirës për të drejtat dhe liritë themelore, për shkak të korrupsionit galopant, ka humbur shumicën dërrmuese të kuotave në bursën europiane të Brukselit. E tani, për të ruajtur statukuonë, nuk ka gjë më të frutshme dhe të sigurt se bashkëpunimi me faktorë dhe vende lindore të cilat e kanë traditë qeverisjen diktatoriale të mbështetur nga mafia dhe korrupsioni. Ndaj, është detyruar të bëjë pakt me mikun e familjes Aleksandër Vuçiç. Ndërsa Vuçiç dhe mentori i tij Putin nuk kanë ku të gjejnë bashkëpunëtor më të mirë për të minuar planet dhe strategjite euroamerikane për Ballkanin Perëndimor e për ta shndërruar atë çka ka mbetur nga rajoni në një parcelë ku të ushqehet i qetë ariu i dobësuar rus… Në tentativë të ethshme për të ruajtur pushtetin, apo më mirë për të siguruar kokën pas rënies së tij, Rama është duke iu përgjigjur me shumë zell dhe korrektësi orientimeve, detyrave dhe nderëve që i kërkon Vuçiç. Për këtë Rama ka shumë kohë që përgatit dhe infrastrukturën mbi të cilën duhet të ngrejë binane e “qendrës tregëtare” ku shiten me skonto interesat ekonomike dhe gjeostrategjike të shqiptarëve. Këmbëngulja absurde e emërimit antikushtetues të Gent Cakaj në Ministrinë e Jashtme, orientimi i trenit shqiptar drejt Moskës, lënia për këtë qëllim e politikave të jashtme në dorën e Baton Haxhiut i cili është emisar legal i shërbimeve të inteligjencës serbe, tregon së tashme aleanca e Edit me Sandrin nuk është konsipracion por një bashkim vëllazërim modern prej të cilit dihet mirë se kush humbet. Ndaj dhe Rama bashkë me gjithë rekuiziten e vet propagandistike i mëshojnë me stil faktit se gjëja më e rëndësishme në botë është bashkëpunimi dhe marrëveshjet me Serbinë pavarësisht kostove dhe së drejtës. Është identikisht e njëjta skemë që përdorte dhe paraardhësi i vet Hoxha ku absolute ishte vetëm vëllazërimi internacionalisht dhe parimet, ndërsa gjithë të tjerat ishin relative. Politika e jashtme e Edi Ramës nuk është asgjë tjetër më shumë përpos një jehonë e ardhur që nga 8. Nëntori i largët i vitit 1941, nuk është asgjë përveçse një faksimile e marrëveshjeve që nënshkroi Hoxha me Tition, pasojat katastrofale të së cilës Shqipëria dhe Kosova i vuajnë ende. Është pikërisht zëri i kësaj të shkuare të lavdishme ai që i pëshpërit në vesh intuitës së sekretarit të parë të komitetit qendror të Parlamentit , “prekuror” Gramoz Ruçit.

 

Lini Nje Koment