Aksident tragjik në Tetovë, shkon në 13 numri i viktimave

Aksident tragjik në Tetovë, shkon në 13 numri i viktimave

Një aksident tragjik ka ndodhur në afërsi të Tetovës në Maqedoni. Sipas mediave vendase një autobus që lëvizte nga Shkupi për në Tetovë, në afërsi të fshatit Llaskarcë ka dalë nga rruga pasi i ka plasur një prej gomave dhe ka përfunduar në kanal.

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe ka konfirmuar se numri i viktimave ka shkuar në 13, shtatë prej të cilëve kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të tjerët në spital. Thuajse të gjithë të aksidentuarit janë të moshës madhore, jo zyrtarisht raportohet se në mesin e të lënduarve nuk ka asnjë fëmijë. ndërkohë që në spitalin “8 shtatori” janë pranuar gjithsej 33 persona.

Para spitalit “8 shtatori”, vërehet një numër i madh i familjarëve të të aksidentuarve.

Shoferit i automjetit i ka shpëtuar aksidentit. Ndërkaq sipas të dhënave të para nga burime nga Ministria e Brendshme pas marrjes në pyetje të shoferit të autobusit, mësohet se shkak për aksidentin nuk ka qenë plasja e gomës por pikërisht humbja e kontrollit të automjetit nga ana e shoferit.

Banorët e fshati Llaskarcë dhe fshatrave tjera përreth kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ofruar ndihmë të jashtëzakonshme. Të aksidentuarit janë transportuar për në spital edhe me helikopterë.

Prokurori Publik përgjegjës nga Prokuroria Publike Shkup po kryen hetim në vendngjarje.
“Sipas informacioneve të para nga hetimi, aksidenti ka ndodhur pasdite kur autobusi i kompanisë ‘Durmo Turs’ me targa të Gostivarit ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në afërsi të fshatit Llaskarcë. Në drejtim të vërtetimit të aksidentit, Prokurori Publik do të lëshojë urdhër për ekspertizën mjeko-ligjore të personave të vdekur, si dhe kontroll të jashtëzakonshëm teknik të makinës. Gjatë mbrëmjes do të sigurohet vendi i ngjarjes, ndërsa hetimi dhe nxjerrja e autobusit do të vazhdoj gjatë ditës së nesërme. Shoferi i autobusit është hospitalizuar, ndërsa nga ana e prokurorit publik është lëshuar urdhër për analizë të gjakut dhe urinës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Lini Nje Koment