Të dielën nis greva e urisë. Studentët e drejtësisë të vendosur: “Pakti për universitetin”, propagandë!

Studentët e Drejtësisë janë shprehur të vendosur për vijimin e ngujimit në mjediset e fakultetit të tyre në shenjë proteste ndaj mosplotësimit të 8 kërkesave nga qeveria.

Në përmbushje të qëllimit të protestës për anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, prej nga buron gjithë degradimi i sistemit universitar, studentët kanë paralajmëruar se në fund të javës do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre dhe do të nisin grevën e urisë.

Në një prononcim për mikrofonin e Shijak Tv dy prej studentëve të fakultetit të Drejtësisë thanë se nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre, të cilin e konsiderojnë të drejtë ndërsa vizitën e kryeministrit nëpër universitete dhe planin e tij të ashtuquajtur “Pakt për universitetin” ata e kanë cilësuar si propagandë.

Sipas studentëve, bashkëmoshatarët të cilët pas pushimeve u dakordësuan me rifillimin e mësimit, sërish u janë bashkuar protestuesve, duke kuptuar se qeveria nuk ka vullnet të përmbushë asnjë nga kërkesat./Shijaktv

%d bloggers like this: