Sot, 100 vjet nga vdekja e Ismail Bej Vlorës. Cili ishte amaneti i tij për bashkimin kombëtar dhe Ballkanin

Këtë të enjte të 24 janarit bëhen 100 vjet nga vdekja e themeluesit të shtetit shqiptar, njeriut që shpalli pavarësinë dhe kryeministrit të parë të vendi, Ismail Qemal Bej Vlorës.

Ai ndërroi jetë në Perugia të Italisë, ku dyshohet se u helmua nga shërbimet sekrete greke, serbe apo italiane. Megjithatë ende nuk ka një variant përfundimtar për vdekjen e tij. Edhe pse situatat e ditëve të fundit të tij e kishin lodhur fizikisht e mendërisht, Ismaili do të jepte një konferencë për shtyp në hotelin “Brufani”, së bashku me dy djemtë dhe Luigj Gurakuqin.

Sipas të birit, Et‘hemit, kur Ismail Qemali, pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve sapo filloi të fliste, u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte. Ali Asllani, kryetari i Bashkisë së Vlorës, tregon se Ethemi i kishte thënë që Ismail Qemali “kërkoi ta shoqëronin në banjë. Atje e mbyti shkuma e të vjellët”. Vdekjen e tij e njoftoi, ndër të tjera, me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L‘Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me këto fjalë: “Dje në mbrëmje, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel ‘Brufani‘ mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora”. Ishte 75 vjeç. Vitet e fundit të jetës i kishte kaluar në mërgim duke lobuar për njohjen e Shqipërisë në bashkëpunim me kolonitë shqiptare në Evropë e në Shtetet e Bashkuara. Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919.

Pak kohë para vdekjes, kryeministri i parë i Shqipërisë shkruante se “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit”.

Ismaili u lind në Vlorë në vitin 1844. Ai ishte përfaqësues i një familjeje të madhe me origjinë nga Kanina, me pushtet të madh politik dhe ekonomik gjatë Perandorisë Osmane. Vetë Ismail Bej Vlora ka qenë deputet në parlamentin Osman dhe gjatë kohës kur pushtetin e morën xhonturqit pas vitit 1908 si dhe deri në shpalljen e Pavarësisë mbajti postin e diplomatit të lartë të Perandorisë.

Trupi i Ismail Bej Vlorës u mbajt në Peruxha dy javë pas vdekjes, për t’u balsamosur. Por, kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi ishte zhdukur çdo shenjë për autopsinë. Më 8 shkurt 1919, trupi i tij u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, në një ceremoni madhështore, trupi i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, ku u varros në oborrin e Teqesë, në Kaninë, në varrezat e familjes Vlora.

Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20 vjetorit të Pavarësisë, me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i Ismail Bej Vlorës u zhvendos aty ku gjendet edhe sot, në memorialin e ushtarit të panjohur në Sheshin e Flamurit në Vlorë, aty ku më parë gjendej shtëpia ku ai lindi e u rrit.

Ismail Bej Vlora, si kryeministri i parë në historinë e shtetit shqiptar, qëndroi në krye të Qeverisë 12 muaj e 56 ditë, nga data 28 nëntor 1912 deri në 22 janar 1914./Shijaktv.al

%d bloggers like this: