Këshilla për gratë që njoh!

Këshilla për gratë që njoh!

Nga Bukra Hysenukaj Kastrati

Ne gratë shqiptare shquhemi për kontributin e lartë që japim në mbarëvajtjen e jetës në familje. Ajo çka përpiqemi përditë t’i japim familjes, shpeshherë i kalon mundësitë tona reale, duke bërë që ky kontribut të kthehet në sakrificë. Deri diku kjo është e përligjur sepse familja duhet të përbëjë prioritetin kryesor në jetën tonë, por sa dimë ne gratë shqiptare t’i përcaktojmë drejtë prioritetet në atë cka i japim familjes tonë. Gratë shqiptare ndoshta 80% të angazhimit fizik në familje, ia dedikojnë pastërtisë së shtëpisë, duke e kthyer veten deri në robinë të saj. Gabimi i pandreqshëm i tyre është mosdiferencimi i asaj që quhet higjienë, nga ai që quhet rregull. Mbajtja e higjienës në ambientet e shtëpisë është jetike, por akoma më jetik është shëndeti i çdonjërës që kërcënohet çdo ditë me vetëdijë të plotë, nga stërmundimi fizik për të mbajtur të pastër shtëpinë. Të vish në shtëpi pas 8 orësh punë, krahu ose zyre dhe menjëherë sapo ke ngrënë drekën, të fillosh betejat e përditshme për të pastruar e sistemuar çdo cep të shtëpisë, pa i dhënë vetes kënaqësinë e një pushimi të merituar, është masakër që po i bën vetes. Je e lodhur. Ndoshta dhe e stresuar. Zbute ritmin. Punë e madhe se nuk i bëre sot ato të shkreta punë, të cilat kurrë nuk të tradhëtojnë. Aty do i kesh, duke të të pritur si adhuruesi yt më i madh, çdo ditë, çdo orë e çdo moment që ti do të kujtohesh për to. Ngazëllimi më i madh i grave shqiptare është fundjava. Mezi presin që të mbledhin gjithë arsenalin e kimikateve dhe të fillojnë aksionin e dezinfektimit të shtëpisë, a thua se gjithë mikrobet, bakteriet e virozat e botës janë mbledhë në shtëpitë e tyre. Orë të tëra i përkasin hekurosjes, ku përveç mundit fizik, më shumë shpenzojnë energji elektrike me hekurin e rrobave, se sa me kondicionerin apo mjetet e tjera për ngrohjen e fëmijëve. Vetëm ne gratë shqiptare, lavatriçen e vëmë dy herë në ditë dhe bolierin dy herë në javë. Po larja e xhamave kohë e pa kohë!? Kjo është marrosja tjetër e grave tona. I lajnë xhamat me aq mund jashtë e brenda, poshtë e lartë, e akoma pa u pushuar krahët dhe kurrizi i tyre i dërrmuar, dritaret kthehen në gjendjen e mëparshme nga pluhuri, shiu, era e ku di unë. Kacavjerrja për të fshirë çdo javë pluhurin mbi abazhure, është një tjetër marri e tyre. Nëse në orenditë e shtëpisë duken gjurmë të mbetura gishtash, ato do luftojnë me to deri në pikën e fundit të fuqisë, dhe nëse ato nuk hiqen, gratë tona nuk kursejnë as qindarkën e fundit për të blerë detergjente pa fund, derisa të gjejnë ekzekutuesin e njollave. Ndaj duart e grave tona janë gjithmonë lëkurë-shollë. Ato kujdesen më shumë për faqet e orendive të shtëpisë, se sa për lëkurën e fytyrës së tyre. Ato janë të gatshme t’i privojnë vetes rehatinë e të veshurit të një pale këpucë cilësore, vetëm e vetëm që t’i dhurojnë shtëpisë një tapet apo perde të re.
Moj gra, shpenzoni kohën tuaj në mënyrë më të zgjuar e më të dobishme, për ju dhe familjen tuaj.
Kaloni më shumë kohë me fëmijët tuaj, se për ta ka më shumë rëndësi koha që kalon me ata, se sa çarçafët super të hekurosur që as ka për t’i vënë re kur të shtrihet në shtrat. Nëse të doli koha tepër, ngrihu dhe gatuaj për ta jashtë vaktit, diçka që atyre u pëlqen. Nëse nuk ke mundësinë të shpenzosh për këtë, bëju nganjë kulaç ta hanë me djathë, dhe do i kënaqësh më shumë se sa t’u fshish dyert dhe dollapët me atë lëngun me aromën e tmershme që heq njollat në dhomat e tyre. Ulu në divan pranë bashkëshortit tënd, i cili nëse nuk ka dalë për një kafe në lagje, me shumë gjasë është duke parë një film aksion, i mësuar tashmë me mungesën tënde të përditshme krah tij.
Të gjithë shembujt e lartëpërmendur janë vetëm një pjesë e vogël e angazhimeve tona të cilat nuk i shmangim dot si zonja shtëpie, por, nëse nuk i racionalizojmë arsyeshëm ato, do të përfundojmë robina të një procesi zinxhir punësh që nuk njeh fund, rezultati i të cilit është çdo ditë i njëjtë.
Ne do të vazhdojmë të lajmë, të pastrojmë, të hekurosim, të gatuajmë, të presim e të përcjellim siç e kemi zakon, por ka ardhur koha që edhe punët e shtëpisë t’i bëjmë me “laps në dorë”.
Thua vetëm ne gratë shqiptare jemi amvisa të mira? Po ato italiane, franceze, gjermane? Apo ku dinë ato ç’është shtëpia, pastërtia, familja.
Moj gra, duajeni pak më shumë veten tuaj, se ndoshta kjo është mënyra më e mirë për t’u kujdesur edhe për familjet tuaja. Ti i duhesh familjes sot edhe nesër. Ti je shtylla, ti je fuqia, ti je nxitja, ti je gjallëria në familje, ndaj trajtoje veten si të tillë. Të gjitha ne kemi lënë ose vijojmë të lëmë cdo ditë gjakun dhe djersën tonë për një copë shtëpi, ndaj ajo duhet të na shërbejë ne, jo ne asaj.

Lini Nje Koment