“Ismail Qemali la amanet tërësinë territoriale”. Politika e Kosovës homazhe te shtatorja e tij në Prishtinë

Zyrtarët më të lartë në Kosovë, dhe drejtues të partive politike, përkujtuan këtë të enjte Ismail Qemalin, në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta. Presidenti i Republikës Hashim Thaci, vlerësoi Kryeministrin e parë shqiptar, ndër burrështetasit më të mëdhenj të kombit.  “Para një shekulli pushoi së rrahuri zemra e diplomatit të shquar Ismail Qemali, themeluesit të shtetit shqiptar. Pas aktit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali u dëshmua si burrështetas vizionar, duke vënë themelet e shtetit mbi vlera perëndimore. Ismail Qemali hyn në radhën e burrështetasve më të mëdhenj të kombit shqiptar”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa Kryeministri Ramush Haradinaj, kujtoi se Ismail Qemali iu la shqiptarëve trashëgiminë e përjetshme, Shqipërinë e mëvetësishme. “Frymëzim për atdhetarët, udhërrëfyes dhe emblema e Shqipërisë, si kryetar i parë i Qeverisë shqiptare, Ismail Qemali bashkoi shqiptarët, që të rreshtohen me idealet e lirisë, për një shtet të bazuar në vlerat Perëndimore. I përjetshëm kujtimi për shtetformuesin, ikonën e pavarësisë sonë”, ka vlerësuar haradinaj figurën dhe kontributin Ismail Qemalit.

Me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit, edhe Lëvizja Vetëvendosje mbajti homazhe në nder të tij para shtatores së vendosur në Prishtinë. Kryetari Albin Kurti pas homazheve, foli për rëndësinë e kësaj figure dhe të ngjarjeve të kohës. “Dje është shënuar 120 vjetori i Besëlidhjes Shqiptare, i Lidhjes së Pejës, i Haxhi Zekës, si dhe përvjetori i vrasjes së tribunit dhe heroit tjetër kombëtar, Isa Boletini. Ndërsa sot, këtu para shtatores së Ismail Qemal Vlorës, erdhëm që të bëjmë homazhe me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së tij. Ismail Qemal Vlora është figura me të cilën identifikohet pavarësia e Shqipërisë së cilës i kanë paraprirë shumë kryengritje, shumë organizime, shumë luftra të përgjakshme, shumë vuajtje dhe humbje, gjithandje vilajeteve shqiptare të asaj kohe, të cilat synonin çlirim kombëtar, mëvetësi politike dhe ruajtjen e tërësisë territoriale”, tha Kurti. Homazhë pranë bustit të protagonistit kryesor në shpalljen e Pavarësisë, bënë edhe shumë qytetarë të Prishtinës./Shijaktv.al  

%d bloggers like this: