Arratisja e Gruevskit, Rama strehon të kërkuarin, Lleshi fsheh TIMS-in

Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është arratisur përmes Shqipëërisë drejt Budapestit. Pasi mediat rajonale dhe ato europiane bënë të ditur këtë lajm, policia e shtetit u detyrua të jepte një njoftim vetëm në mbrëmje. Por në këtë gjysmë-njoftim policia nuk jep asnjë të dhënë se kur Gruevski ka hyrë në Shqipëri. Ky fakt nuk është sqaruar nga autoritetet e rendit, ndërsa Departamenti i Kufirit dhe Migracionit duke iu përgjigjur interesimit të medies në lidhje me qarkullimin e Gruevskit në Shqipëri flet vetëm për daljen e tij në kufi. Deklarata zyrtare, bën me dije se më 11 nëntor 2018, rreth orës 19:11, Gruevski ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë. Sipas deklaratës zyrtare të Ministrisë së Brendëshme në këtë datë për ish kryeministrin e Maqedonisë nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Po sipas deklaratës, njoftimi për shpallje në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Shkupi i është dërguar Interpol Tiranës me datë 13 nëntor dy ditë pas largimit të tij për në Budapest. Lajmi për arratisjen e Gruevskit u bë i ditur mëngjesin e së enjtes nga mediat serbe Tanjug, B92, dhe Politika, sipas të cilave Gruevski ka kaluar kufirin maqedono-shqiptar me një pasaportë të rreme, dhe ka arritur në mënyrë të paligjshme në Tiranë. Kjo e dhënë dëshmon se i gjithë udhëtimi i Gruevskit, Shkup-Tiranë –Budapest, ishte i parapërgatitur dhe i siguruar plotësisht. Ngjarja, ka zënë faqet e para jo vetem të mediave të rajonit por edhe në ato europiane. Reuters, dha detaje të tjera duke iu referuar qëndrimit të kryeministrit Hungarez Viktor Orban rreth kësaj çështjeje, i cili dyshohet se ka qënë i përfshirë për mbrojtjen e Gruevskit. Orban mohoi faktin se Budapesti zyrtar të ketë ndihmuar në arratisjen e Nikolla Gruevskit nga Maqedonia, ndërsa nuk pranoi të flasë në lidhje me faktin, nëse qeveria ishte e përfshirë në mbështetjen që Gruevki të mund të merrte nga ambasada hungareze në Tiranë. Viktor Orban ka qenë një aleat i hershëm i Gruevskit, pasi e mbështeti atë, edhe në prag të zgjedhjeve të fundit, për shkak të interesave për valën e emigrantëve. Aktualisht, Gruevski ndodhet në Budapest, në pritje të përgjigjes për azil, që sipas ligjit duhet të kthehet brenda 60 ditëve. Por Reuters paralajmëron se kjo procedurë do të përshpejtohet.

Lini Nje Koment