Fasada me bastet, “fundi i marrëzisë” prodhoi marrëzinë pa fund

Aksioni fasadë “fundi i marrëzisë” prodhoi marrëzinë e basteve pa fund. Ky është konstatimi i Partisë Demokratike për nismën e fundit të kryeministrit në lidhje me lojërat e fatit. Deputetja Jorida Tabaku, i kujton qeverise se ligji i lojrave të fatit ka nisur në vitin 2015, dhe u përdor politikisht. Për disa muaj shqiptarët u bombarduan me publicitete dhe promocione të lojrave të fatit edhe televizioni shqiptar publik që paguhej nga taksat e shqiptarëve, shprehet Tabaku. Sipas saj sistemi i Monitorimit Online i Lojrave të fatit iu dha më koncesion vëllait të kryeministrit, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohë pikat e basteve janë dhjetëfishuar duke rënë ndesh me çdo normë ligjore.

DEKLARATË E N/KRYETARES SË KOMISIONIT TË EKONOMISË, JORIDA TABAKU

Ata që sot flasin kundër basteve sportive dhe kazinove janë kumarxhinjtë e politikës që fatin e tyre e kanë vendosur në rulotën politike:

– Ata sollën në vitin 2015 një ligj klientelist që e ndryshuan në seancën parlamentare për të përmbushur qokat e tyre elektorale.
– Janë ata që përmes një aksioni fasadë “Fundi Marrëzisë” prodhuan marrëzinë e basteve pafund.
– Janë të njëjtë me mazhorancës që nuk solli asnjë akt nënligjor për ligjin që miratoi.
– Janë të njëjtë me mazhorancën dhe kryeministrin që votuan shtyrjen e hyrjes në fuqi të Ligjit të Lojërave të Fatit që vetë votuan.
– Nën këtë kryeministër u dhjetëfishuan pikat e basteve në kundërshtim me çdo normë ligjore.
– Nën këtë mazhorancë u dha me koncesion tek kompania e lidhur me vëllain e kryeministrit Sistemi i Monitorimit Online të cilin po e shfrytëzon për të vjelur paratë publike.
– Nën këtë mazhorancë për një muaj rresht shqiptarët u bombarduan me publicitetin edhe promocionin e lojërave të fatit edhe në TVSH që paguhet me taksat e shqiptarëve.

Prandaj kjo mazhorancë është e fundit që i takon të flasë me Bibël dhe Kuran për lojrat e fatit. Nëse sot kryeministri ankohet për mesazhet që i vijnë nga burgjet atëherë ai dëshmon se është peng jo i vesit të basteve por i vesit të të qenurit pjesë e të inkriminuarve. Faktet thërrasin fort përfshirjen e mazhorancës në një tjetër grup të inkriminuar që sot për sot kërkon monopolin e kazinove dhe lojërave të fatit. Lejet e ndërtimit, ligji i ri me emrin “Bast Arena” dhe promovimi i kryeministrit janë shenjat e qarta të qelisë prej nga ku mazhoranca porosit ligjet.

Lini Nje Koment